Paraqitjet e mira të Wesley Franca me Romën kanë tërhequr vëmendjen e disa prej klubeve më të mëdha në Evropë.
Braziliani 22-vjeçar, i transferuar verën e kaluar për rreth 25 milionë euro, është përshtatur shpejt me ritmin e Serie A dhe është kthyer në një lojtar të rëndësishëm në skemat e trajnerit Gian Piero Gasperini.
Falë fleksibilitetit të tij në fushë, Wesley është përdorur në disa role, si mbrojtës krahu dhe mesfushor anësor në të dy krahët, duke bindur me kontributin e tij si në fazën defensive ashtu edhe në atë sulmuese.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, interes për lojtarin kanë shfaqur Manchester City, Barcelona dhe Real Madrid, të cilët po monitorojnë nga afër zhvillimin e tij.
Megjithatë, Roma nuk ka ndërmend të heqë dorë lehtë nga braziliani. Klubi italian e konsideron Wesley një pjesë të rëndësishme të projektit afatgjatë, sidomos pasi ai ka kontratë të vlefshme deri në vitin 2030.
Raportet sugjerojnë se vetëm një ofertë që kalon shifrën e 55 milionë eurove mund ta detyrojë klubin roman të shqyrtojë mundësinë e shitjes së tij gjatë merkatos së ardhshme.
Me interesin në rritje nga elita evropiane, Wesley pritet të jetë një nga emrat më të përfolur në muajt e ardhshëm të merkatos. /Telegrafi/






