Tre çështjet më të ndjeshme në negociatat mes SHBA-së dhe Iranit

Bota

SHBA dhe Irani shkëmbejnë zjarr mes përshkallëzimit të tensioneve dhe bisedimeve të paqarta. Forcat amerikane dhe iraniane kanë shkëmbyer zjarr në orët e para të së enjtes, duke e futur edhe më shumë në pasiguri procesin e brishtë të negociatave dhe duke nxjerrë në pah kërkesat e paplotësuara në një marrëveshje të propozuar për armëpushim. […]

Madhësia e shkronjave

SHBA dhe Irani shkëmbejnë zjarr mes përshkallëzimit të tensioneve dhe bisedimeve të paqarta.

Forcat amerikane dhe iraniane kanë shkëmbyer zjarr në orët e para të së enjtes, duke e futur edhe më shumë në pasiguri procesin e brishtë të negociatave dhe duke nxjerrë në pah kërkesat e paplotësuara në një marrëveshje të propozuar për armëpushim.

Vetëm disa orë para se Uashingtoni të njoftonte se kishte goditur dronë iranianë dhe një vend lëshimi pranë ngushticës strategjike të Hormuzit, presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se administrata e tij ende “nuk është e kënaqur” me kushtet e marrëveshjes, shkruan cnn.

Edhe Teherani ka ashpërsuar retorikën, duke paralajmëruar se “çdo agresion ose shkelje e armëpushimit” nga ushtria amerikane “do të përballet me forcë”, pas një sulmi drejt një baze amerikane të paidentifikuar në Kuvajt.

Ndërkohë, edhe komunikimet publike mbi përmbajtjen e propozimit, të njohur si memorandum mirëkuptimi (MOU), janë të mbushura me kundërshti – pasi Uashingtoni kundërshton deklaratat e Teheranit se drafti parashikon tërheqjen e forcave amerikane dhe heqjen e bllokadave ndaj porteve iraniane.

Çështjet më të ndjeshme në negociata:

Stoku bërthamor i Iranit: Zyrtarët iranianë kanë paralajmëruar se do të diskutojnë çështjet bërthamore vetëm pasi të jetë arritur një fazë e parë e marrëveshjes së përkohshme. MOU nuk pritet të trajtojë në detaje pasurimin e uraniumit – një lëndë që mund të përdoret për armë bërthamore. Zyrtarët në Uashington përdorin shprehjen “Pa pluhur, pa dollarë”, duke iu referuar stokut të uraniumit të pasuruar që, sipas Trump, duhet të eliminohet përpara çdo lehtësimi financiar për Teheranin.

Asetet e ngrira: Bombardimet SHBA-Izrael ndaj Iranit kanë thelluar krizën ekonomike të vendit, e cila tashmë ishte e rënduar nga sanksionet, duke shtyrë Teheranin të kërkojë zhbllokimin e miliarda dollarëve në banka të huaja. Sipas agjencisë gjysmëzyrtare Mehr News, një përfaqësues iranian ka deklaruar se janë arritur “suksese” në lirimin e rreth gjysmës së aseteve të bllokuara të Iranit – me vlerë rreth 12 miliardë dollarë – që mund të përfshihen në MOU.

Ngushtica e Hormuzit: Bllokadat paralele SHBA-Iran ndaj anijeve joaleate në Ngushticën e Hormuzit kanë ndikuar në luhatjen e çmimeve globale të naftës dhe kanë bllokuar dhjetëra mijëra marinarë përgjatë këtij korridori kyç detar. Deri tani, autoritetet në Teheran kanë sinjalizuar se synojnë të mbajnë një kontroll më të madh mbi kalimin në ngushticë sesa para luftës. Ndërkohë, të enjten, SHBA vendosi sanksione ndaj një organi të ri iranian të krijuar për të detyruar transportuesit detarë të respektojnë rregullat e saj. /Telegrafi/