Ai paguhej 20 milionë euro në vit, si futbollisti më i paguar në botë: Tani ka probleme me depresionin

Sport

Ezequiel Lavezzi (41), ish-sulmuesi i Napolit, Paris Saint-Germainit dhe Kombëtares së Argjentinës, ka folur hapur për periudhën e vështirë që ka kaluar pas përfundimit të karrierës së tij si futbollist. Në një intervistë për Prime Video, argjentinasi ka zbuluar se ka luftuar me depresionin, se është shtruar në një klinikë dhe se aktualisht vazhdon të […]

Madhësia e shkronjave

Ezequiel Lavezzi (41), ish-sulmuesi i Napolit, Paris Saint-Germainit dhe Kombëtares së Argjentinës, ka folur hapur për periudhën e vështirë që ka kaluar pas përfundimit të karrierës së tij si futbollist.

Në një intervistë për Prime Video, argjentinasi ka zbuluar se ka luftuar me depresionin, se është shtruar në një klinikë dhe se aktualisht vazhdon të marrë trajtim dhe medikamente.

“Kur ndalova së luajturi futboll, kishte një boshllëk dhe nuk kishte asgjë për ta mbushur atë”, ka rrëfyer Lavezzi, duke folur për vështirësitë që përjetoi pas largimit nga futbolli.

Ai më pas ka treguar më shumë për gjendjen e tij dhe procesin e rikuperimit.

“Kisha probleme me depresionin, u shtrova në një klinikë, po marr ilaçe dhe po i nënshtrohem trajtimit. Ngadalë, por me siguri, po shërohem. Ardhja në jetë e djalit tim më ka ndryshuar jetën. Ai më sjell shumë gëzim dhe më bën të ndihem gjallë. Më ka dhënë forcën për të vazhduar”, ka thënë ish-futbollisti.

Lavezzi zbulon arsyen se pse refuzoi Juventusin dhe Interin telegrafi.com

Gjendja e Lavezzit u bë sërish temë diskutimi disa ditë më parë, pasi një video e tij u bë virale në Itali dhe Argjentinë.

Në pamjet e regjistruara në qendrën tregtare Le Aquile, në Sant’Anastasia pranë Napolit, Lavezzi shihej duke dhënë një intervistë për gazetaren Jolanda De Rienzo, ndërsa krahët dhe këmbët e tij dukeshin se po dridheshin.

As Lavezzi dhe as njerëzit e tij të afërt nuk kanë dhënë një shpjegim për shkakun e dridhjeve. Gazetarja argjentinase Laura Ubfal deklaroi se ish-futbollisti po i nënshtrohej rehabilitimit dhe sugjeroi se dridhjet mund të ishin të lidhura me trajtimin, por për këtë nuk ka pasur konfirmim mjekësor publik.

Lavezzi ka kaluar një periudhë të vështirë prej disa vitesh. Në dhjetor të vitit 2023, ai u shtrua në spital në Uruguai pas një incidenti në një festë private, ndërsa në fillim të vitit 2024 u trajtua në klinikën Dharma në Buenos Aires. Avokati i tij në atë kohë, Mauricio D’Alessandro, kishte thënë se Lavezzi po trajtohej për një problem psikiatrik, të cilin e kishte përshkruar si hipomani.

Gjatë këtij viti, Lavezzi ka qenë gjithnjë e më i hapur për problemet e tij. Në prill, në një intervistë për Corriere della Sera, ai foli për depresionin dhe krizat e ankthit, ndërsa një muaj më vonë, në një intervistë për gazetën argjentinase OLGA, foli edhe për problemet me varësinë. Në atë kohë, ai tregoi se kishte kaluar një muaj në një klinikë dhe se vazhdonte të merrte trajtim.

Dikur ishte futbollisti më i paguar në botë

Lavezzi e përfundoi karrierën në vitin 2020 te klubi kinez Hebei, ku raportohej se fitonte më shumë se 20 milionë euro në vit, duke u bërë në atë periudhë futbollisti më i paguar në botë.

Gjatë karrierës së tij, ai luajti për Estudiantes, San Lorenzo, Genoa, Napoli, Paris Saint-Germain dhe Hebei. Me PSG-në dhe Napolin ndërtoi pjesën më të rëndësishme të karrierës së tij në Evropë.

Për Kombëtaren e Argjentinës, Lavezzi zhvilloi 51 paraqitje dhe ishte pjesë e skuadrës që arriti në finalen e Kupës së Botës 2014 në Brazil, ku Argjentina u mposht nga Gjermania. /Telegrafi/