Tifozët sulmojnë FIFA-n pas pamjeve turpëruese nga ceremonia hapëse e Botërorit

Sport

FIFA është vënë në shënjestër të kritikave nga tifozët pasi ceremonia hapëse e Kupës së Botës në Shtetet e Bashkuara u zhvillua para tribunave që dukeshin larg kapacitetit të plotë. Kombëtarja e SHBA-së e nisi aventurën e saj në Botërorin 2026 me ndeshjen ndaj Paraguait në stadiumin SoFi të Los Anxhelosit, mes shqetësimeve të vazhdueshme […]

Madhësia e shkronjave

FIFA është vënë në shënjestër të kritikave nga tifozët pasi ceremonia hapëse e Kupës së Botës në Shtetet e Bashkuara u zhvillua para tribunave që dukeshin larg kapacitetit të plotë.

Kombëtarja e SHBA-së e nisi aventurën e saj në Botërorin 2026 me ndeshjen ndaj Paraguait në stadiumin SoFi të Los Anxhelosit, mes shqetësimeve të vazhdueshme për çmimet e larta të biletave dhe shitjet jo të kënaqshme.

Para se skuadra e Mauricio Pochettinos të dilte në fushë, u organizua ceremonia zyrtare hapëse e turneut, duke shënuar ndeshjen e parë të Kupës së Botës në tokën amerikane pas 32 vitesh.

Megjithatë, shumë tifozë ende nuk kishin zënë vendet e tyre në stadium kur nisi spektakli, duke bërë që pamjet e tribunave me shumë ulëse bosh të përhapeshin shpejt në rrjetet sociale.

Shumë tifozë krahasuan atmosferën me ceremoninë e një nate më parë në Meksikë, ku stadiumi ishte i mbushur dhe atmosfera elektrizuese.

“Stadiumi është shumë bosh për ceremoninë hapëse të SHBA-së”, shkroi një tifoz në rrjetin X.

Një tjetër shtoi: “Dallimi mes ceremonive hapëse në Meksikë dhe SHBA është i madh. Njëra kishte tribuna të mbushura, zhurmë, pasion dhe atmosferë Botërori. Tjetra kishte shumë vende bosh. Nuk duket aspak mirë”.

“Stadiumi është gjysmë bosh për ceremoninë hapëse”, shkroi një përdorues tjetër duke publikuar video nga brenda arenës.

Një koment edhe më i ashpër thoshte: “Është jashtëzakonisht bosh. Shumë zhgënjyese!”.

Pavarësisht kritikave, ceremonia u zhvillua sipas planit rreth 70 minuta para fillimit të ndeshjes dhe solli emra të njohur të muzikës botërore.

Future dhe Tyla interpretuan këngën “Game Time”, ndërsa më pas në skenë dolën Lisa, Rema dhe Anitta me performancën e këngës “Goals”.

Në qendër të stadiumit ishte vendosur edhe një trofe gjigant i Kupës së Botës, ndërsa më vonë performoi edhe superylli i muzikës pop, Katy Perry.

Ndërkohë, mbrojtësi amerikan Tim Ream kishte shprehur bindjen se tribunat do të mbusheshin deri në fillimin e ndeshjes.

“Presim të shohim një stadium të mbushur, një publik të jashtëzakonshëm dhe një atmosferë fantastike. Për ne kjo ceremoni është kulmi i shumë punës dhe vendimeve që kemi marrë për të arritur deri këtu”, deklaroi ai.

Botërori në SHBA ka nisur mes debatit për çmimet e larta të biletave dhe vendimin e FIFA-s për të aplikuar për herë të parë sistemin e çmimeve dinamike në një Kupë Bote, ndërsa raportohej se qindra bileta për ndeshjen hapëse ishin ende në shitje në ditët para takimit./Telegrafi/