Kylian Mbappe, Vinicius Junior dhe Ibrahima Konate janë përballur me kritika në Spanjë pasi refuzuan ta shfaqnin plotësisht fanellën e Real Madridit në mbështetje të banorëve të Ceutës.
Treshja hyri në fushë gjatë fitores 3-2 ndaj Elches të martën me fanellat e ngritura, duke fshehur mesazhin “todos somos Caballas” (“të gjithë jemi Caballas”), përpara se t’i hiqnin ato pas pak çastesh.
Sipas El Mundo, futbollistët e kanë konsideruar mesazhin si politik dhe nuk kanë dashur të lidhen me ndonjë qëndrim apo ideologji politike.
Raportohet se ata kishin parë gjithashtu reagimin negativ ndaj sulmuesit të Real Betisit, Abde, pasi ai kishte veshur një fanellë të ngjashme. Reprezentuesi i Marokut ishte përballur me një valë sulmesh dhe kritikash në internet.
Sipas raportimit, Mbappe i kalon rregullisht pushimet në Marok, ndërsa Vinicius e kishte vizituar vendin në vitin 2024 si ambasador i UNESCO-s.
Për këtë arsye, dy lojtarët, së bashku me Konaten, dyshohet se kanë qenë të shqetësuar se përfshirja në një çështje politike mund të shkaktonte polemika dhe të dëmtonte marrëdhëniet e tyre me autoritetet marokene.
Nisma nuk ishte organizuar nga Real Madridi, por nga një grup sipërmarrësish nga Valencia. Klubi madrilen thuhet se e ka respektuar vendimin e futbollistëve.
Megjithatë, veprimi i treshes ka shkaktuar reagime të shumta dhe kritika në Spanjë./Telegrafi/






