Taika Waititi ka ndarë kujtimet e tij prekëse për mikun dhe bashkëpunëtorin e ndjerë Sam Neill, duke zbuluar edhe mesazhin e fundit që mori prej tij.
Sipas Waititit, mesazhi i fundit nga Sam Neill erdhi më 4 prill, kur aktori e uroi për blerjen e një studioje filmike në Zelandën e Re.
Regjisori kujtoi se Neill e kontaktonte shpesh vetëm për ta pyetur si ishte dhe për t’u siguruar që gjithçka po shkonte mirë.

“Ai ishte një njeri shumë i kujdesshëm dhe i dashur, që donte vetëm t’i shihte të lumtur njerëzit që i donte”, tha Waititi.
Duke folur për vdekjen e aktorit, u shpreh se reagimet e shumta nga kolegët dhe fansat tregojnë se Sam jetoi një jetë të mbushur me mirësi dhe la pas kujtime të bukura te njerëzit që e njohën.
Edhe aktori Julian Dennison, i cili luajti përkrah Neill në filmin “Hunt for the Wilderpeople”, e përshkroi atë si një figurë që e bëri të ndihej i sigurt dhe i vlerësuar në fillimet e karrierës së tij.
Ai tha se Neill sillej me të si një vëlla i madh dhe nuk e bënte kurrë të ndiente peshën e famës së tij.
Ndërkohë, aktorja Rachel House u emocionua teksa foli për mikun e saj, duke thënë se ishte një nga njerëzit më të mirë që kishte njohur dhe se do t’i mungojë shumë.
Intervista u realizua në kuadër të 10-vjetorit të filmit “Hunt for the Wilderpeople”, një prej veprave më të suksesshme të kinemasë së Zelandës së Re, ku Sam kishte një nga rolet më të vlerësuara të karrierës së tij. /Telegrafi/





