Ka një “sherif” të ri në Ambasadën Amerikane në Shqipëri. Ai është Eric P. Wendt, që mori dritën jeshile nga Senati i Shteteve të Bashkuara, duke hapur rrugën për një mandat diplomatik që pritet të ketë një fokus të fortë në sigurinë rajonale dhe partneritetin strategjik mes Uashingtonit dhe Tiranës.
Kandidatura e Wendt u miratua në seancë plenare me 50 vota pro dhe 44 kundër, duke përmbyllur procesin e konfirmimit në Senat. Tashmë mbetet vetëm nënshkrimi formal i Presidentit të Shteteve të Bashkuara për ta bërë zyrtar emërimin e tij në krye të misionit diplomatik amerikan në Shqipëri.

Eric P. Wendt vjen në këtë detyrë me një karrierë të gjatë ushtarake dhe një profil të ndërtuar në operacionet speciale amerikane. Ai shërben në Ushtrinë e Shteteve të Bashkuara që prej vitit 1986 dhe, që nga viti 1991, është pjesë e forcave elitare “Green Berets”.
Pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, Wendt u angazhua në disa nga misionet më të rëndësishme ushtarake të SHBA-së, duke drejtuar operacione në Indonezi, Filipine, Irak dhe Afganistan. Përgjatë karrierës së tij ai ka mbajtur edhe poste të larta drejtuese, përfshirë detyrën e ndihmësit ushtarak kryesor të Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, ndërsa ka komanduar struktura të forcave speciale në të gjitha nivelet.
Përvoja e tij shtrihet edhe në diplomacinë e sigurisë. Në vitin 2017, Wendt u emërua Koordinator i Sigurisë i Shteteve të Bashkuara për Izraelin dhe Autoritetin Palestinez, një pozicion me përgjegjësi të lartë në një prej rajoneve më të ndjeshme të botës.
Ai flet gjuhën arabe dhe koreane dhe është dekoruar me disa nga vlerësimet më prestigjioze ushtarake amerikane dhe ndërkombëtare. Emërimi i tij në Tiranë shihet si një sinjal i rëndësishëm i interesit të vazhdueshëm të Uashingtonit për Shqipërinë, një aleate kyçe e NATO-s në Ballkan, në një kohë kur siguria rajonale dhe sfidat gjeopolitike mbeten në qendër të agjendës transatlantike. /A2cnn/





