Ka kaluar më shumë se një vit që kur Luka Modric i dha fund aventurës së tij 13-vjeçare te Real Madridi, duke lënë pas një boshllëk të madh në mesfushën e “Los Blancos”. Edhe në sezonin e tij të fundit, kroati vazhdoi të ishte një figurë kyçe me përvojën, energjinë dhe lidershipin e tij.
Problemet që Real Madridi hasi gjatë sezonit 2025/26 treguan qartë se klubi nuk arriti të gjente pasuesin ideal të fituesit të Topit të Artë.
Megjithatë, kjo mund të ndryshojë me transferimin e Bernardo Silvës, i cili iu bashkua madrilenëve si lojtar i lirë gjatë verës së vitit 2026.
Pas gati një dekade te Manchester City, Bernardo Silva mbërrin në Madrid me një eksperiencë të jashtëzakonshme dhe me një mentalitet fitues të ndërtuar nën drejtimin e Pep Guardiolës.
Portugezi fitoi gjashtë tituj të Ligës Premier, tre FA Cup, pesë Kupa të Ligës dhe Ligën e Kampionëve me Cityn, duke regjistruar 460 ndeshje, 76 gola dhe 77 asistime.
Edhe pse nuk është një mesfushor qendror klasik si Modric, fleksibiliteti i tij e lejon të luajë si numër 8, numër 10, në krahun e djathtë, madje edhe në role më të tërhequra në mesfushë.
Me Real Madridin që nuk transferoi një mesfushor tjetër gjatë verës, gjithçka tregon se Jose Mourinho e sheh Bernardon si një armë të rëndësishme në repartin qendror.
Përvoja, inteligjenca taktike dhe aftësia për të kontrolluar ritmin e lojës janë cilësi që mund ta afrojnë atë me ndikimin që kishte Modric.
Silva pritet të jetë një nga liderët e skuadrës, duke ndihmuar jo vetëm në ndërtimin e lojës, por edhe në zhvillimin e futbollistëve më të rinj.
Çfarë duhet të bëjë për të pasur sukses?
Zëvendësimi i Modricit nuk është një detyrë e lehtë. Kroati ishte motori i mesfushës së Real Madridit për më shumë se një dekadë, duke kontrolluar ritmin e lojës, duke fituar duele dhe duke qenë vendimtar në momentet më të rëndësishme.
Për të ndjekur gjurmët e tij, Bernardo Silva duhet të: kontrollojë më mirë ritmin e lojës në mesfushë, vazhdojë të krijojë raste me pasimet e tij vertikale dhe inteligjencën taktike, kontribuojë edhe në fazën mbrojtëse, ashtu siç bënte Modric, udhëheqë skuadrën me përvojën dhe personalitetin e tij, ruajë disiplinën, pasi sezonin e kaluar mori plot 15 kartonë të verdhë me Manchester Cityn.
Në moshën 31-vjeçare, Bernardo Silva është një përjashtim nga politika e zakonshme e Real Madridit, që zakonisht investon te futbollistët e rinj.
Presioni në “Santiago Bernabeu” do të jetë shumë më i madh sesa ai që kishte në Manchester City, ndërsa Mourinho pret që ai të jetë një nga liderët e skuadrës në çdo rol që do t’i besohet.
Edhe pse askush nuk mund ta zëvendësojë plotësisht Luka Modricin, Bernardo Silva ka përvojën, cilësinë dhe mentalitetin për t’u bërë figura që Real Madridi ka kërkuar prej largimit të legjendës kroate./Telegrafi/






