Sandra Bullock ka folur për herë të parë publikisht dhe në detaje për partnerin e saj të ndjerë, Bryan Randall, i cili ndërroi jetë në gusht të vitit 2023, në moshën 57-vjeçare. Randall humbi jetën si pasojë e sklerozës laterale amiotrofike (ALS), tre vjet pasi ishte diagnostikuar me sëmundjen.
Në atë kohë, aktorja amerikane konfirmoi lajmin tragjik përmes një deklarate, por deri tani kishte zgjedhur të mos fliste publikisht për humbjen dhe periudhën e vështirë që përjetoi.
Bullock dhe Randall ishin në një lidhje prej tetë vitesh dhe kishin vendosur që sëmundjen e tij ta mbanin private. Në podcastin “Smartless”, aktorja tregoi se kjo ishte dëshira e Randall, por pranoi se vendimi e la në një situatë të thellë izolimi.
“E di pse ma kërkoi këtë”, tha ajo.
Bullock shpjegoi se dhimbja e humbjes kishte nisur shumë kohë para vdekjes së tij.
“E përjetoja dhimbjen për Bryan për katër vite para se të ndërronte jetë. Diçka kishte ndryshuar. Burri im ishte larguar shumë kohë para se ta linte trupi i tij. Mendoj se nuk isha në gjendje të përballesha me këtë derisa ai vdiq, sepse gjatë gjithë atij procesi vazhdon të jesh në lëvizje dhe të përballosh gjithçka”, rrëfeu aktorja.
Aktorja tregoi se gjithçka ndodhi në një periudhë veçanërisht të vështirë, pasi diagnoza përfundimtare e Randall erdhi pothuajse në të njëjtën kohë me fillimin e pandemisë dhe izolimeve.
“Ai në fakt ishte i sëmurë për gjysmën e lidhjes sonë”, shpjegoi ajo.
Bullock tregoi gjithashtu se në atë periudhë kishte edhe shqetësime të tjera familjare.
“Kam një fëmijë me astmë të rëndë dhe isha në panik. Kisha dy fëmijë të vegjël që po kalonin gjithë atë situatë, veçanërisht vajzën time, e cila e shihte atë si baba”, u shpreh ajo.
“Askushit nuk mund t’i tregoja. Për një periudhë, vetëm motra ime e dinte se çfarë po ndodhte. Ishte një barrë e jashtëzakonshme”, shtoi Bullock.
Më vonë, ajo vendosi t’ua besonte sekretin edhe disa personave të afërt, mes tyre mikeshës së saj Jennifer Aniston dhe Amanda Anka, bashkëshortes së prezantuesit të podcastit Jason Bateman.
Pas vdekjes së Randall, Bullock u fotografua në janar të vitit 2024 në Bahamas, teksa shpërndante hirin e partnerit të saj. Sipas burimeve pranë aktores, pikërisht në atë vend çifti kishte shkëmbyer në mënyrë private betimet në vitin 2017 dhe kishte kaluar shpesh pushime familjare.
Motra e aktores, Gesine Bullock-Prado, konfirmoi gjithashtu se një pjesë e hirit të Randall u shpërnda në Wyoming, pranë lumit Snake.
Në ditën kur ai do të festonte 58-vjetorin e lindjes, Gesine publikoi një video në Instagram, të shoqëruar me mesazhin: “Gëzuar ditëlindjen, Bry. Sandy të çoi te lumi, ashtu siç kishte premtuar”.
Pas vdekjes së partnerit, mediat raportuan se Bullock ishte mirënjohëse për mbështetjen e publikut dhe donacionet për organizatat që merren me kërkimet për ALS.
Një burim i afërt me aktoren i tha atëherë revistës People se për të ishte veçanërisht e rëndësishme që në deklaratën e parë për vdekjen e Randall të vlerësohej kontributi i të gjithë njerëzve që kishin qenë pranë tyre gjatë kësaj periudhe.
Bullock dhe Randall ishin njohur kur ai, si fotograf profesionist, kishte realizuar fotografitë në ditëlindjen e djalit të Sandrës, Louis, të cilin ajo e kishte adoptuar në vitin 2010.
Çifti më pas ndërtoi një jetë familjare së bashku, duke rritur vajzën e adoptuar të Sandrës, Laila, si dhe vajzën e Randall, Skylar, nga një lidhje e mëparshme. /Telegrafi/






