Real Madridi është i gatshëm të kërkojë 150 milionë euro për Vinicius Junior nëse bisedimet për rinovimin e kontratës dështojnë, ndërsa një takim vendimtar mes palëve pritet të zhvillohet gjatë kësaj jave.
Sipas “ESPN”, drejtuesit e klubit madrilen së fundmi kanë përmirësuar ofertën e tyre për brazilianin në rreth 22 milionë euro në sezon. Megjithatë, kjo konsiderohet si oferta përfundimtare e klubit dhe nuk pritet të ketë rritje të mëtejshme.
Nga ana tjetër, Vinicius, kontrata aktuale e të cilit skadon në qershor të vitit 2027, kërkon një pagë prej rreth 30 milionë eurosh në sezon, çka ka krijuar një hendek të konsiderueshëm mes kërkesave të lojtarit dhe ofertës së klubit.
Raporti thekson se gjatë kësaj jave do të zhvillohet një takim kyç mes përfaqësuesve të lojtarit dhe drejtuesve të Real Madridit, me shefin e skautimit, Juni Calafat, që do të udhëheqë negociatat në emër të klubit.
Edhe pse të dyja palët vazhdojnë të synojnë arritjen e një marrëveshjeje, Real Madridi është i gatshëm të dëgjojë oferta në rast se negociatat dështojnë plotësisht, për të shmangur rrezikun e largimit të lojtarit si futbollist i lirë një vit më vonë.
Sipas të njëjtit raport, klubi do të kërkojë rreth 150 milionë euro për kartonin e 26-vjeçarit, edhe pse ai do të hyjë në vitin e fundit të kontratës së tij.
Vinicius vazhdon të lidhet edhe me një kalim të mundshëm te Arsenali, megjithatë deri më tani nuk është paraqitur asnjë ofertë zyrtare.
Në të njëjtën kohë, spekulimet janë shtuar edhe pas një postimi misterioz të presidentit të Roc Nation Sports, Michael Yormark, gjatë një udhëtimi në Londër, megjithëse nuk ka asnjë konfirmim se vizita e tij lidhet me të ardhmen e sulmuesit brazilian./Telegrafi/






