Drejtoria e Doganave ka vënë në përdorim 30 kamera për trup, për punonjësit doganorë në vendkalimet kufitare “Tabanocë”, “Qafë Thanë” dhe “Bllacë“, me donacion nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së.
Kamerat do të mundësojnë regjistrimin e procedurave gjatë kryerjes së detyrave dhe pamjet mund të përdoren më vonë si dëshmi në procedura kundërvajtëse dhe penale.
Drejtori i Doganave, Boban Nikollovski, tha se sistemi synon të rrisë mbrojtjen e punonjësve, transparencën dhe luftën kundër korrupsionit.
Zëvendësuesja e ambasadorit amerikan, Nicole Warns, theksoi se pajisjet do të ndihmojnë në parandalimin e aktiviteteve të paligjshme dhe në luftën kundër trafikut të drogës, trafikimit të qenieve njerëzore dhe krimit të organizuar.
Ajo e cilësoi donacionin si pjesë të partneritetit mes SHBA-së dhe Maqedonisë së Veriut.






