Trajneri Pep Guardiola ka theksuar se Manchester City duhet të mendojë vetëm për fitore në ndeshjet e mbetura, teksa gara për titullin në Ligën Premier me Arsenalin ka hyrë në fazën vendimtare.
Pas fitores 3-0 ndaj Brentford, trajneri spanjoll pranoi se City nuk e ka më gjithçka në duart e veta dhe se ekipi është i varur edhe nga një hap fals i Arsenalit, por insistoi se skuadra e tij mund të përqendrohet vetëm te rezultatet e veta.
“Nuk është në duart tona tani. Ata duhet të humbasin pikë, por e vetmja gjë që mund të bëjmë ne është të fitojmë sërish të mërkurën”, deklaroi Guardiola.
Ai u ndal edhe te vështirësia e këtij rrugëtimi, duke kujtuar se City vazhdon të jetë në garë edhe në fronte të tjera, ndërsa kalendari është i ngarkuar.
“Kalendari ynë është shumë kërkues. Janë vetëm dy javë dhe një ditë, dhe sezoni do të përfundojë”.
Guardiola lavdëroi edhe mentalitetin e skuadrës në javët e fundit, duke nënvizuar serinë pozitive të rezultateve.
“Shpirti që kam parë… nuk e di sa ndeshje i kemi fituar në 10-11 ndeshjet e fundit – përveç Evertonit, i kemi fituar të gjitha. Ky është ekipi. Në fund, mund të humbasësh, dhe nëse humbet, humbet”.
“Por ne përpiqemi të bëjmë punën tonë dhe të shohim çfarë ndodh. Më pëlqen të jem sërish këtu. Jam shumë i lumtur”, u shpreh trajneri i Cityt.
Aktualisht, Manchester City ndodhet dy pikë pas Arsenalit, me tre ndeshje të mbetura deri në fund të sezonit, duke e bërë luftën për titullin edhe më të zjarrtë./Telegrafi/






