Ervis Rapaj dhe Grupi Argjiro kanë bërë të ditur se kanë qenë pjesë e realizimit të filmit “The Odyssey”, me regji nga Christopher Nolan, përmes muzikës dhe traditës së polifonisë shqiptare.
Rapaj ka ndarë emocionet e tij pas këtij bashkëpunimi, duke treguar se pati mundësinë të interpretojë kabanë shqiptare dhe të punojë pranë kompozitorit Ludwig Göransson, fitues i çmimit Oscar, i cili udhëtoi në jug të Shqipërisë për të regjistruar tingujt autentikë të iso-polifonisë dhe instrumenteve tradicionale shqiptare.
“Ndihem vërtet i privilegjuar dhe mirënjohës që pata mundësinë të jem pjesë e realizimit të filmit ‘The Odyssey’, me regji nga Christopher Nolan. Isha i nderuar të interpretoja kabanë shqiptare dhe të punoja pranë kompozitorit të jashtëzakonshëm Ludwig Göransson, fitues i çmimit Oscar, i cili udhëtoi në jug të Shqipërisë për të regjistruar tingujt autentikë të iso-polifonisë dhe instrumenteve tona tradicionale, duke i bërë ato pjesë të një produksioni të madh botëror”, shkroi Ervis Rapaj.

Ai gjithashtu falënderoi kompozitorin për besimin dhe mundësinë për të qenë pjesë e këtij projekti, duke u shprehur: “Krenar dhe shpresoj që një copëz e shpirtit të muzikës shqiptare të dëgjohet në mbarë botën”.
Edhe Roland Çenko, së bashku me Grupin Argjiro, ka ndarë emocionet për përfshirjen në këtë projekt ndërkombëtar.
“Jam jashtëzakonisht mirënjohës dhe krenar që pata nderin, së bashku me Grupin Argjiro, të jem pjesë e filmit ‘The Odyssey’, me regji të Christopher Nolan, përmes polifonisë shqiptare, artit të cilit i kam kushtuar gjithë jetën time”, shkroi Çenko.
Ai theksoi se për të dhe për Grupin Argjiro ishte një privilegj i madh të përcillnin zërin e polifonisë shqiptare në një produksion me përmasa botërore.
“Për mua dhe për Grupin Argjiro, të cilin kam nderin ta drejtoj, ishte një privilegj i madh të përcillnim zërin e polifonisë shqiptare në një produksion me përmasa botërore. Ishte një përvojë e veçantë bashkëpunimi me kompozitorin e madh Ludwig Göransson, fitues i çmimit Oscar, i cili erdhi në jug të Shqipërisë për të njohur dhe regjistruar tingujt autentikë të iso-polifonisë dhe instrumenteve tona tradicionale”, u shpreh ai.
Grupi Argjiro, i përbërë nga Roland Çenko, Kastriot Çenko, Alvaro Çenko, Llambro Ballo dhe Juli Zholi, ka përcjellë kështu një pjesë të traditës muzikore shqiptare në një projekt të rëndësishëm kinematografik ndërkombëtar. “The Odyssey” është filmi i ri i Christopher Nolan, ku tingujt autentikë të muzikës tradicionale shqiptare do të jenë pjesë e realizimit artistik. /Telegrafi/





