Lionel Messi po kalon një nga Kupat e Botës më të mira të karrierës së tij, teksa vazhdon garën për të fituar “Këpucën e Artë”.
Ndërkohë, në vendlindjen e tij, Rosario, banorët kanë vendosur ta nderojnë edhe një herë ikonën argjentinase, duke restauruar plotësisht muralin gjigant kushtuar atij.
Murali, me një sipërfaqe prej 534 metrash katrorë, është rinovuar me disa detaje të reja simbolike. Atij i janë shtuar tre yjet e titujve botërorë të Argjentinës, si dhe mbishkrimi emocionues: “Faleminderit, Leo”.

Njëra nga drejtueset e projektit, Marlene Zuriaga, bëri të ditur se për restaurimin e veprës janë përdorur rreth 300 litra bojë. Murali ishte realizuar fillimisht në vitin 2021.
“E quajtëm ‘Nga një galaktikë tjetër’, por në realitet ai është një njeri si të gjithë ne. Dikush që i kapërceu sfidat që në moshë të vogël, lindi në një familje modeste punëtore dhe arriti në majën e futbollit botëror”, u shpreh Zuriaga.
Festimet në Rosario nuk u ndalën vetëm te restaurimi i muralit. Një helikopter, që mbante një fanellë gjigante të kombëtares së Argjentinës, fluturoi mbi qytet, kaloi pranë pikave më të njohura të Rosarios dhe mbi shtëpinë ku Messi kaloi fëmijërinë e tij.
Messi jetoi në Rosario deri në moshën 13-vjeçare, përpara se të transferohej në Spanjë për t’iu bashkuar akademisë së Barcelonës.
Megjithatë, ai nuk e ka fshehur kurrë lidhjen e fortë me qytetin ku u rrit.
“Nëse më pyesni se ku dua të jem, do të përgjigjem gjithmonë, Rosario”, kishte shkruar Messi në një kolumnë personale të publikuar në vitin 2018, kushtuar qytetit të tij të lindjes. /Telegrafi/





