Në Milano, Maserati ka prezantuar një ekzemplar unik të modelit GT2 Stradale, gjatë Javës së Dizajnit në këtë qytet italian.
Kompania e njohur italiane e veturave ka zgjedhur këtë event si vendin ideal për të treguar mundësitë e jashtëzakonshme të programit të saj të personalizimit “Fuoriserie”, përmes të cilit çdo nga 914 ekzemplarët e planifikuar të GT2 Stradale mund të bëhet unik.

Modeli i prezantuar, i quajtur GT2 Stradale Fuoriserie 914, është zhvilluar nga departamenti i personalizimit “Bottega Fuoriserie”. Maserati e përshkruan këtë veturë si një “makinë garash e përshtatur për përdorim edhe në rrugë”.
Emri 914 i referohet numrit të kufizuar të prodhimit dhe vitit 1914, kur është themeluar Maserati. Ky ekzemplar i veçantë është i lyer në ngjyrë të zezë dhe përmban elemente karboni të pa lyer, për të theksuar karakterin e tij sportiv dhe garues, ndërsa detajet në ngjyrë të verdhë i japin kontrast dhe lidhen me identitetin historik të markës.
Brendësia është e mbuluar me Alcantara të zezë dhe përfshin dy ulëse sportive prej karboni me rripa sigurie me katër pika. Vetura ka edhe rrota të lehta 20 inç me goma Michelin dhe sistem frenimi Brembo.
Nën kapak ndodhet motori V6 “Nettuno” 3.0 litra me dy turbo, që zhvillon 640 kuaj fuqi dhe 720 Nm çift rrotullues. Ky motor i jep veturës përshpejtim nga 0 në 100 km/h për vetëm 2.8 sekonda dhe shpejtësi maksimale prej 324 km/h.
Maserati thekson se GT2 Stradale përfaqëson një lidhje mes botës së garave dhe përdorimit në rrugë, duke treguar potencialin e lartë të programit të personalizimit të markës. /Telegrafi/





