Forcat marokene të sigurisë kanë ndërhyrë të shtunën për të parandaluar një përpjekje masive për kalimin drejt Ceutës, territor spanjoll në Afrikën e Veriut.
Qindra persona, shumica migrantë nga Afrika Sub-Sahariane, ishin mbledhur në zonat përreth qytetit Fnideq, i njohur në spanjisht si Castillejos, pranë kufirit me enklavën spanjolle, transmeton Telegrafi.
Sipas mediave marokene, autoritetet kanë arrestuar 294 persona, prej të cilëve 46 janë shtetas marokenë, ndërsa pjesa tjetër vijnë nga vende të ndryshme të Afrikës Sub-Sahariane.
Burime të sigurisë marokene, të cituara nga agjencia spanjolle e lajmeve EFE, thanë se grupi ishte lokalizuar në një zonë malore në jugperëndim të Ceutës. Forcat e sigurisë ndërhynë për ta shpërndarë turmën dhe për të parandaluar afrimin e saj drejt barrierave kufitare.
Sipas raportimeve, migrantët ende ndodhen në zonë, ndërsa deri tani nuk është regjistruar një tjetër përpjekje për t’iu afruar gardhit kufitar.
Një prej migrantëve, 25-vjeçari sudanez Chams Edine Yakoub, tha për AFP se kishte udhëtuar në kërkim të një mundësie për të kaluar në Ceuta dhe për të nisur një jetë më të mirë në Evropë.
“Në Ceuta, në Evropë, njerëzit kujdesen më mirë për ty. Këtu nuk ka punë, nuk ka para, nuk ka strehim. Nuk ka absolutisht asgjë”, tha ai.
Operacioni i së shtunës u zhvillua në një zonë të blinduar nga forcat e sigurisë. Qendra e Fnideqit u zgjua nën një prani të shtuar policore, ndërsa autoritetet vendosën pika kontrolli në rrugët kryesore që lidhin qytetin me Tetuanin dhe Tangierin.
Mbikëqyrja u përforcua edhe në zonat detare dhe përgjatë kufirit me Ceutën. Në operacion u përfshinë mjete të shpejta të Marinës Mbretërore Marokene dhe dronë vëzhgimi, ndërsa forcat tokësore monitoruan lëvizjet e migrantëve në zonat malore.
Pavarësisht kontrolleve të rrepta, një 17-vjeçare arriti të mbërrinte në Fnideq gjatë natës. Ajo i tha EFE-së se kishte udhëtuar nga Tetouani me autobus dhe se gjatë rrugës, rreth 35 kilometra të gjatë, autobusi ishte ndaluar në tre pika kontrolli.
Operacioni është pjesë e një dislokimi më të gjerë të organizuar nga autoritetet marokene për të parandaluar një kalim masiv drejt Ceutës, pas thirrjeve të shpërndara në rrjetet sociale për një përpjekje të re për të kaluar kufirin.
Tensionet në këtë zonë janë rritur ndjeshëm pas një incidenti të rëndë në fund të korrikut, kur dhjetëra mijëra persona tentuan të hynin në enklavën spanjolle duke kaluar në këmbë ose duke notuar.
Sipas organizatave humanitare, ngjarjet e 30 dhe 31 korrikut shkaktuan të paktën 141 viktima, duke e bërë atë një nga episodet më vdekjeprurëse të regjistruara ndonjëherë në kufirin mes Marokut dhe Spanjës.
Ceuta, së bashku me Melillën, është një nga dy territoret spanjolle në Afrikën Veriore dhe përbën një nga pikat kryesore të presionit migrator drejt Bashkimit Evropian.
Për shkak të pozicionit të saj gjeografik, zona përballet periodikisht me përpjekje masive të migrantëve për të kaluar barrierat kufitare ose për të hyrë në territorin spanjoll përmes detit. /Telegrafi/






