Kurti takon ambasadorët e Francës, Britanisë dhe Gjermanisë

Nacionale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar të premten takime me ambasadorët e rinj të Francës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë, me të cilët ka diskutuar për zhvillimet politike në Kosovë dhe thellimin e bashkëpunimit bilateral. Në takimin me ambasadorin e ri të Francës, Jean-François Huchet, Kurti ka diskutuar për avancimin e marrëdhënieve ndërmjet dy […]

Madhësia e shkronjave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar të premten takime me ambasadorët e rinj të Francës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë, me të cilët ka diskutuar për zhvillimet politike në Kosovë dhe thellimin e bashkëpunimit bilateral.

Në takimin me ambasadorin e ri të Francës, Jean-François Huchet, Kurti ka diskutuar për avancimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, me theks në Lojërat Mesdhetare 2030, infrastrukturën, teknologjinë dhe energjinë.

Temë e diskutimit ka qenë edhe rruga evropiane e Kosovës, ndërsa Kurti ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së Francës në proceset integruese.

Kurti ka pritur gjithashtu ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves, nga i cili ka pranuar urime për formimin e Qeverisë dhe mandatin e ri.

Sipas Zyrës së Kryeministrit, në takim është diskutuar për zhvillimet e fundit politike dhe forcimin e mëtejmë të partneritetit strategjik Kosovë–Mbretëri e Bashkuar.

Bashkëpunimi në tregti, investime, teknologji dhe sport, përfshirë përgatitjet për Lojërat Mesdhetare 2030, është përmendur si një nga fushat ku synohet zgjerimi i bashkëpunimit.

Ndërkohë, në takimin me ambasadorin e Gjermanisë, Rainer Rudolph, Kurti ka diskutuar për zhvillimet politike në Kosovë, Procesin e Berlinit dhe Forumin Ekonomik Kosovë–Gjermani, i cili pritet të mbahet në fund të tetorit.

Kurti e ka falënderuar ambasadorin Rudolph për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë ndaj Kosovës.

Gjatë këtij takimi, kryeministri ka shprehur edhe shqetësimin e Kosovës lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke pretenduar se aktgjykimi përmban pasaktësi faktike, historike dhe ligjore, të cilat, sipas tij, duhet të korrigjohen në procedurën e apelit./Telegrafi/