Gati 1 miliard euro nga diaspora për Kosovën vetëm për tetë muaj, Gjermania dhe Zvicra mbeten burimet kryesore

Nacionale

Pesha e diasporës në ekonominë e Kosovës vazhdon të jetë e lartë. Diaspora ka dërguar në atdhe gati 1 miliard euro vetëm gjatë tetë muajve të parë të vitit 2026, duke shënuar rritje prej 6.74 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Të dhënat preliminare të Bankës Qendrore të Kosovës tregojnë […]

Madhësia e shkronjave

Pesha e diasporës në ekonominë e Kosovës vazhdon të jetë e lartë. Diaspora ka dërguar në atdhe gati 1 miliard euro vetëm gjatë tetë muajve të parë të vitit 2026, duke shënuar rritje prej 6.74 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Të dhënat preliminare të Bankës Qendrore të Kosovës tregojnë se remitencat kanë arritur në 984.1 milionë euro, duke konfirmuar peshën e madhe që paratë e mërgimtarëve vazhdojnë të kenë në ekonominë e vendit.

Banka Qendrore e Kosovës në një intervistë për Telegrafin bën të ditur se Gjermania dhe Zvicra vazhdojnë të jenë dy shtyllat kryesore të remitencave të diasporës në Kosovë.

Telegrafi: Sa është vlera totale e remitencave të pranuara në Kosovë gjatë vitit 2026 deri më tani dhe si krahasohet me të njëjtën periudhë të vitit 2025?

BQK: Bazuar në të dhënat preliminare të publikuara për remitancat në Kosovë, vlera totale e pranuar gjatë periudhës janar-gusht 2026 është 984.1 milionë euro. Vlera për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ka qenë 922.0 milionë euro, duke përfaqëson rritje vjetore prej 6.74%.

Telegrafi: Nga cilat shtete vjen pjesa më e madhe e remitencave dhe a ka pasur ndryshime në strukturën e vendeve prej nga dërgohen paratë? Ku qëndron Zvicra me dërgimin e remitencave në Kosovë?

BQK: Gjatë viteve, Gjermania ka mbajtur pozitën dominuese, me një pjesëmarrje që në shumicën e periudhave lëviz ndërmjet rreth 35% dhe 44% të remitencave totale. Ndërkohë, Zvicra renditet e dyta, me një pjesëmarrje që kryesisht ka lëvizur ndërmjet 16% dhe 24%.

Sa i përket ndryshimeve në strukturën e vendeve prej nga dërgohen remitencat, nuk vërehen ndryshime të mëdha në renditjen e vendeve kryesore.

Gjermania dhe Zvicra mbeten burimet kryesore, ndërsa vendet si SHBA, Austria, Belgjika, Franca, Italia, Suedia dhe Mbretëria e Bashkuar vazhdojnë të japin kontribute të rëndësishme, por shumë më të vogla në krahasim me dy vendet kryesore.

Telegrafi: Cilat janë kanalet kryesore përmes të cilave diaspora dërgon para në Kosovë dhe sa ka ndryshuar përdorimi i kanaleve digjitale vitet e fundit?

BQK: Bazuar në të dhënat preliminare të remitancave sipas kanaleve, agjencitë për transfer të mjeteve janë kanali kryesor përmes të cilit diaspora dërgon remitenca në Kosovë. Gjatë periudhës janar-gusht 2026, pjesëmarrja e këtij burimi në total remitencat është 56%.

Kanalet bankare renditen të dytat për nga rëndësia, me pjesëmarrje prej 18% gjatë periudhës janar-gusht 2026.

Ndërsa pjesa e mbetur është dërguar përmes kanaleve të tjera, të cilat përfshijnë kryesisht transferet informale, remitencat në mallra dhe format e tjera të dërgimit të mjeteve.

Telegrafi: Sa e varur mbetet ekonomia e Kosovës nga remitencat dhe cili është ndikimi i tyre në konsumin, kursimet dhe investimet e familjeve kosovare?

BQK: Remitencat vazhdojnë të kenë një rol të rëndësishëm në ekonominë e Kosovës. Në vitin 2025, vlera e tyre përfaqëson rreth 13% të BPV-së nominale, duke dëshmuar rëndësinë e tyre si burim i të ardhurave për një numër të madh familjesh. BQK nuk disponon studime specifike që matin ndikimin e remitencave në konsum, kursime dhe investime në nivel të familjeve.

Në përputhje me standardet ndërkombëtare të statistikave të Bilancit të Pagesave, BQK i regjistron remitencat si transfere personale ndërmjet ekonomive familjare rezidente dhe jorezidente.

Për nga natyra, këto transfere shërbejnë kryesisht si mbështetje financiare për ekonomitë familjare dhe mund të përdoren për konsum, investime ose nevoja të tjera individuale. Megjithatë, BQK nuk disponon të dhëna statistikore të detajuara mbi destinimin përfundimtar të mjeteve të dërguara nga diaspora. /Telegrafi/