Protesta vë në pah përplasjen për Specialen: PDK kërkon ndryshimin e ligjit, LVV e kushtëzon me zgjedhjen e presidentit

Nacionale

Kërkesa e PDK-së për mbrojtje shtetërore ndaj krerëve të UÇK-së, po përplaset me agjendën e Vetëvendosjes në Kuvend. PDK po kërkon ndryshimin e ligjit pa humbur kohë, derisa LVV e lidh këtë me stabilitetin institucional. Dhjetëra mijëra qytetarë janë mbledhur të enjten në sheshet kryesore të Prishtinës, në protestën e organizuar nga platforma “Liria ka […]

Madhësia e shkronjave

Kërkesa e PDK-së për mbrojtje shtetërore ndaj krerëve të UÇK-së, po përplaset me agjendën e Vetëvendosjes në Kuvend. PDK po kërkon ndryshimin e ligjit pa humbur kohë, derisa LVV e lidh këtë me stabilitetin institucional.

Dhjetëra mijëra qytetarë janë mbledhur të enjten në sheshet kryesore të Prishtinës, në protestën e organizuar nga platforma “Liria ka Emër”, kundër dënimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Protestuesit kanë valëvitur flamuj të UÇK-së dhe kanë mbajtur pankarta në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, duke kërkuar angazhim institucional për mbrojtjen dhe lirimin e tyre.

Në protestë, organizatorët dhe folësit kanë përcjellë mesazhin “Jo në emrin tonë”, ndërsa kanë kërkuar nga Qeveria dhe Kuvendi që të ndërmarrin veprime konkrete dhe të procedojnë ndryshimet e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Një nga organizatorët, Çlirim Haziri, u është drejtuar të rinjve duke vlerësuar sakrificën e brezit të luftës dhe duke kërkuar që drejtësia të bazohet në prova dhe standarde të drejta.

Edhe ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka kërkuar bashkim dhe përgjegjësi nga deputetët e Kuvendit, ndërsa u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që, sipas tij, ta rikthejnë besimin e krijuar gjatë luftës së UÇK-së.

Në fjalimet e tyre, Muhamet Mavraj, Lavdije Leci dhe Gazmend Syla kanë folur për sakrificat për lirinë e Kosovës dhe kanë kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së.

Përfaqësuesi i platformës “Liria ka Emër”, Ismail Tasholli, tha se protesta nuk është e lidhur me partitë politike.

“Liria ka Emër nuk e ka ndërmend me u ndalë, po do i shohim edhe aktivitetet e tjera, prej atyre më kreative, deri te ato radikale”, ka shtuar Tasholli.

Pas protestës, në shenjë solidarizimi me ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po gjykohen në Hagë, ndërtesa e Qeverisë së Kosovës është ndriçuar me flamurin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Mirëpo nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pas vendosjes së një flamuri të madh të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në objektin e Qeverisë së Kosovës.

Çitaku, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se duhet vepra jo fjalë nga Albin Kurti.

“Dhe kërkesa drejtuar Albin Kurtit është e qartë: silleni ligjin në Kuvend dhe votojeni. Pa humbur kohë. UÇK-ja ka nevojë për mbrojtje shtetërore, jo për instalacione e fjalë boshe. Vepra, Albin. Jo fjalë”, ka shkruar Çitaku.

Mirë shefja e grupit parlamentar e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, në RTK tha se zgjedhja e presidentit është ‘prioritet mbi prioritete’ sepse, sipas saj, asnjë çështje s’mund të shtyhet para, përfshirë edhe lobimin shtetëror për kundërshtim të aktgjykimit dënues ndaj katërshes së UÇK-së.

Nagavci për deklaratat se duhet votuar projektligji për Gjykatën Speciale dhe të evitohet me mos pjesëmarrje procesi i votimit të presidentit, tha se pret përgjegjësi nga çdo akter politik që t’i kryejnë detyrat e tyre në Kuvendin e Kosovës.

“Me pjesëmarrje në zgjedhjen e presidentit ne jo vetëm që shmangim edhe një palë zgjedhje të reja, kursejmë buxhetin e shtetit por jemi në funksion të adresimit të temave të rëndësishme, në radhë të parë përgatitja dhe pjesëmarrja e të gjitha institucioneve në strategjinë shtetërore për ta adresuar këtë vendim të pa drejtë në Gjykatën e Apelit”, tha ajo./Telegrafi/