Kosova e ka mbyllur pjesën e parë me epërsi 1-0 ndaj Andorrës në ndeshjen miqësore që po zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Dardanët dominuan plotësisht 45 minutat e para, duke kontrolluar lojën dhe duke krijuar raste të shumta para portës kundërshtare, ndërsa Andorra u fokusua kryesisht në mbrojtje dhe ndërhyrje të ashpra.

Mysafirët luajtën në limite gjatë pjesës së parë, gjë që u reflektua edhe në kartonët e verdhë, pasi futbollistët e Andorrës u ndëshkuan plot katër herë nga gjyqtari.
Goli i vetëm i pjesës së parë erdhi në minutën e 41-të dhe ishte një realizim i bukur nga Fisnik Asllani. Sulmuesi i Kosovës ekzekutoi me mjeshtëri një goditje dënimi, ndërsa topi fillimisht goditi shtyllën dhe më pas portierin kundërshtar, për t’u ndalur në rrjetë.
Përveç golit, Kosova pati edhe disa mundësi të mira shënimi dhe me pak më shumë saktësi rezultati mund të ishte dukshëm më i thellë.
Me lojën e treguar dhe rastet e krijuara, Dardanët shkojnë me plot meritë në pushim me avantazhin minimal, por me paraqitje bindëse ndaj Andorrës. /Telegrafi/





