Një eksperiment me 130 të porsalindur ka rikthyer një debat të vjetër për atë se sa ndikojnë biologjia dhe mjedisi në zhvillimin e fëmijës
Shkencëtarët nga University of Cambridge kanë zbuluar se vajzat dhe djemtë mund të ndryshojnë në mënyrën se si e drejtojnë vëmendjen që në orët e para pas lindjes. Meqenëse dallimet janë vërejtur kaq herët, studiuesit besojnë se në to mund të kenë rol faktorët prenatalë, përfshirë hormonet dhe gjenetikën.
Studimi i ri, i publikuar në revistën Biology of Sex Differences, përfshiu 130 të porsalindur vetëm disa orë pas lindjes dhe përsëriti, me metoda më të sakta, një eksperiment të zhvilluar më shumë se dy dekada më parë.
Vajzat shikonin më gjatë fytyrat, djemtë objektet

Gjatë eksperimentit, foshnjave iu shfaqën njëkohësisht dy video. Në njërën shihej një fytyrë njerëzore me lëvizje natyrale, ndërsa në tjetrën një objekt josocial: toptha metalikë që lëviznin si lavjerrësi i Njutonit.
Në përgjithësi, të gjitha foshnjat treguan më shumë interes për fytyrën njerëzore. Megjithatë, kur rezultatet u analizuan sipas gjinisë, u vu re një dallim mesatar.
Vajzat kalonin një pjesë më të madhe të kohës duke parë fytyrën njerëzore, ndërsa djemtë e drejtonin relativisht më shpesh vëmendjen te objekti mekanik.
Këto dallime nuk nënkuptojnë se çdo vajzë apo çdo djalë sillet në këtë mënyrë. Studiuesit theksojnë se bëhet fjalë për dallime mesatare në nivel grupi, transmeton Telegrafi.
Një pyetje e vjetër: biologjia apo mjedisi?
Prej vitesh, studimet kanë treguar se vajzat, mesatarisht, priren ta zhvillojnë të folurin dhe disa aftësi sociale më herët se djemtë. Debati shkencor ka qenë nëse këto dallime lindin kryesisht nga biologjia apo formohen më vonë përmes edukimit, kulturës dhe pritjeve shoqërore.
Pikërisht për këtë arsye, studimi i foshnjave vetëm disa orë pas lindjes është veçanërisht interesant. Në këtë fazë, përvoja pas lindjes është ende shumë e kufizuar dhe ndikimi i mjedisit shoqëror nuk ka pasur kohë të grumbullohet.
Autorët e studimit konsiderojnë se kjo e bën më të besueshme hipotezën se disa dallime fillestare lidhen me faktorë që veprojnë para lindjes.
Studimi përsërit një rezultat të vitit 2000
Një studim i zhvilluar nga University of Cambridge në vitin 2000 kishte raportuar një rezultat të ngjashëm: vajzat e porsalindura shikonin mesatarisht më gjatë fytyrat njerëzore, ndërsa djemtë objektet.
Megjithatë, ai studim ishte kritikuar dhe shkencëtarët kishin kërkuar që eksperimenti të përsëritej me metoda më të sofistikuara.
Kjo u bë tani, duke përdorur kushte më të kontrolluara eksperimentale dhe teknika më të sakta për përcjelljen e shikimit të foshnjave.
Një detaj i rëndësishëm ishte se studiuesit që analizonin videot e syve të foshnjave nuk e dinin gjininë e tyre dhe as llojin e stimulit që po shikonin. Kjo ndihmoi në zvogëlimin e mundësisë së paragjykimit gjatë interpretimit të rezultateve.
“Natyra dhe edukimi veprojnë së bashku”
Yumnah Khan, doktorante në Autism Research Centre në University of Cambridge dhe udhëheqëse e studimit, tha se kërkime të tjera të fundit kanë treguar dallime mesatare gjinore edhe në strukturën e trurit që në lindje.
Sipas saj, të dhënat e reja sugjerojnë se dallime të tilla mund të vërehen jo vetëm në strukturën e trurit, por edhe në vëmendje dhe sjellje.
Profesori Sir Simon Baron-Cohen, drejtor i Autism Research Centre, theksoi se studimi prek një nga pyetjet më të vjetra në psikologji: sa ndikojnë biologjia dhe sa përvoja në formësimin e sjelljes njerëzore.
Sipas tij, fakti që dallimet shfaqen kaq shpejt pas lindjes sugjeron se faktorët prenatalë mund të kenë rol. Megjithatë, këta faktorë nuk veprojnë të izoluar, sepse hormonet dhe gjenet vazhdojnë të ndërveprojnë me përvojat e mëvonshme të jetës.
Dallimet nuk përcaktojnë të ardhmen e fëmijës
Dr. Alex Tsompanidis, docent dhe studiues në Autism Research Centre, theksoi se dallimet e vërejtura në lindje duhet të kuptohen vetëm si pika fillestare.
Ato nuk përcaktojnë mënyrën se si një fëmijë do të zhvillohet, çfarë aftësish do të ketë apo si do të sillet më vonë.
Zhvillimi njerëzor është rezultat i ndërveprimit të vazhdueshëm mes biologjisë, mjedisit, edukimit dhe përvojave individuale. Pikërisht ky ndërveprim krijon larminë e madhe mes njerëzve. /Telegrafi/





