Ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, Princi Faisal bin Farhan, bëri thirrje për zbatimin e plotë të planit të paqes të presidentit amerikan Donald Trump për Gazën.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, ai ka theksuar njëkohësisht nevojën për të trajtuar çështjen e zgjerimit të vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Deklaratat e Princit Faisal u bënë gjatë një sesioni që ai e bashkëkryesoi me Francën, Mbretërinë e Bashkuar dhe Kanadanë, lidhur me Deklaratën e Nju Jorkut për shtetësinë palestineze.
Takimi u zhvillua në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Princi Faisal shprehu vlerësimin për hapat e ndërmarrë nga Franca, Mbretëria e Bashkuar, Kanada dhe një numër në rritje vendesh për njohjen e shtetit palestinez, duke u bërë thirrje shteteve që nuk e kanë bërë ende këtë, ta ndërmarrin këtë hap.
Diplomati i lartë saudit theksoi gjithashtu rëndësinë e përballjes me zgjerimin e vendbanimeve, dhunën e kolonëve dhe politikat e aneksimit.
“Sa i përket Gazës, ai bëri thirrje për zbatimin e plotë dhe të menjëhershëm të planit gjithëpërfshirës të presidentit amerikan Donald Trump për t’i dhënë fund konfliktit, duke garantuar qasje të papenguar për ndihmat dhe duke çuar në bashkimin e Rripit të Gazës dhe Bregut Perëndimor nën Autoritetin Kombëtar Palestinez”, raportoi Agjencia Saudite e Lajmeve (SPA). /Telegrafi/






