Kongresisti Wilson i kërkon Serbisë t’i ndalë kërcënimet ndaj Kosovës dhe të shkëputet nga Rusia, Kina e Irani

Nacionale

Kongresisti amerikan Joe Wilson i bëri thirrje Serbisë që të ndërpresë varësinë nga energjia ruse dhe të distancohet nga Rusia, Kina dhe Irani, duke theksuar se vetëm kështu mund të afrohet plotësisht me Bashkimin Evropian dhe NATO-n. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Wilson rikonfirmoi mbështetjen e tij për pavarësinë e Kosovës dhe […]

Madhësia e shkronjave

Kongresisti amerikan Joe Wilson i bëri thirrje Serbisë që të ndërpresë varësinë nga energjia ruse dhe të distancohet nga Rusia, Kina dhe Irani, duke theksuar se vetëm kështu mund të afrohet plotësisht me Bashkimin Evropian dhe NATO-n.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Wilson rikonfirmoi mbështetjen e tij për pavarësinë e Kosovës dhe akuzoi Serbinë për kërcënime të vazhdueshme ndaj saj.

“Serbia duhet të jetë pjesë e qytetërimit perëndimor. Është koha të ndërpresë marrëdhëniet me diktaturat në Moskë, Pekin dhe Teheran”, deklaroi ai.

Wilson kritikoi Beogradin për vazhdimin e blerjes së naftës dhe gazit rus, duke argumentuar se negociatat për ndërprerjen e importeve nuk janë të mjaftueshme.

“Serbia nuk ka nevojë të negociojë. Ajo duhet ta bëjë këtë menjëherë, sepse është gjëja e duhur për lirinë dhe demokracinë”, tha ai.

Kongresisti amerikan është sponsor i një rezolute në Kongres që kërkon zhvendosjen e Sesionit Vjetor të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së nga Beogradi në Çarlston të Karolinës së Jugut në vitin 2027.

Ai argumentoi se Serbia nuk është vendi i duhur për të pritur këtë ngjarje për shkak të lidhjeve të saj me Rusinë, Kinën dhe Iranin.

Duke folur për Kosovën, Wilson përsëriti se mbështet pavarësinë e saj dhe vlerësoi se “kërcënimet nga Serbia nuk duhet të kenë vend në shekullin XXI”.

Ai shtoi se e ardhmja e Serbisë është në strukturat euroatlantike, por kjo, sipas tij, kërkon një shkëputje të qartë nga ndikimi rus, kinez dhe iranian.