Konsullata e Përgjithshme e Ukrainës në Wrocław ka bërë thirrje për një reagim të shpejtë nga agjencitë polake të zbatimit të ligjit ndaj incidentit të fundit në të cilin u lënduan ukrainas.
Sipas raportimeve të medias, një çift i ri ukrainas u sulmua në qytetin polak të Wrocław, gjoja për shkak të theksit të tyre, dhe agjencitë e zbatimit të ligjit po hetojnë aktualisht incidentin, transmeton Telegrafi.
“Jemi të detyruar të vërejmë se rastet e dhunës dhe agresionit që synojnë shtetasit ukrainas janë bërë më të shpeshta në Poloni kohët e fundit. Çdo rast i tillë kërkon një hetim të plotë dhe një vlerësim të duhur ligjor”, u tha nga ta.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, ka udhëzuar konsullatën që të marrë urgjentisht masat e nevojshme të reagimit. Konsullata tashmë ka dërguar një kërkesë zyrtare organeve kompetente të Policisë Kombëtare Polake dhe është duke pritur informacion zyrtar.
“Nëse rrethanat e raportuara konfirmohen, presim një hetim gjithëpërfshirës, objektiv dhe të shpejtë, përcaktimin e motiveve pas aktit dhe autorët të mbahen përgjegjës në përputhje me legjislacionin e Republikës së Polonisë. Çdo manifestim dhune, ksenofobie ose urrejtjeje është i papranueshëm dhe nuk ka vend në një shoqëri demokratike”, u theksua ndër tjera.
Konsullata gjithashtu u bëri thirrje ukrainasve që mund të jenë prekur nga ky incident ose që kanë ndonjë informacion të kontaktojnë.
Kohët e fundit u raportua se për herë të parë në historinë e sondazheve nga Qendra e Polonisë për Hulumtime të Opinionit Publik, numri i njerëzve që thanë se ishin kundër pranimit të refugjatëve nga Ukraina tejkaloi numrin e njerëzve që ishin pro. /Telegrafi/






