Këngëtarja dhe aktorja e njohur amerikane, Jennifer Lopez, ka ndarë me ndjekësit disa fotografi të rralla familjare nga pushimet e saj në Itali, ku po kalon kohë së bashku me binjakët e saj, Max dhe Emme.
Artistja publikoi një seri imazhesh në rrjetet sociale, të shoqëruara me mbishkrimin: “Një udhëtim me ‘kokosat’ e mi para se të nisen për në kolegj”, duke zbuluar se po shfrytëzon ditët e fundit me fëmijët e saj përpara se ata të nisin një kapitull të ri në jetën akademike.
Jennifer Lopez rrallë publikon fotografi me fëmijët e saj, ndaj postimi tërhoqi menjëherë vëmendjen e fansave.
Gjatë qëndrimit në Itali, familja shijoi gastronominë lokale dhe vizitoi disa prej atraksioneve më të njohura historike e kulturore. Ata eksploruan Koloseun në Romë dhe bënë një shëtitje me gondolë në kanalet e Venecias, ku binjakët pozuan pranë nënës së tyre për disa fotografi.

Ndërsa Lopez u shfaq me veshje elegante gjatë gjithë udhëtimit, Max dhe Emme zgjodhën një stil më sportiv dhe të rehatshëm, me bluza dhe pantallona të përditshme.
Megjithatë, një pjesë e madhe e komenteve në rrjetet sociale nuk u fokusuan te udhëtimi, por te sjellja e binjakëve. Shumë ndjekës vunë re se gjatë shëtitjes me gondolë ata dukeshin më të përqendruar te telefonat e tyre sesa te peizazhi i famshëm i Venecias.
“Sa trishtuese… në një gondolë në Venecia dhe me sytë te telefoni. Kam përshtypjen se si shoqëri kemi humbur diçka”, shkroi një përdoruese.
Të tjerë komentuan edhe faktin se binjakët mbanin kufje gjatë një pjese të madhe të vizitave.
“Gjithmonë me kufje në vesh? Sa e trishtueshme”, shkroi një tjetër ndjekës.
Ekspertët e shëndetit theksojnë se përdorimi i telefonave nga adoleshentët nuk matet vetëm me numrin e orëve para ekranit, por edhe me ndikimin që ai ka në gjumë, shkollë, aktivitet fizik, jetën sociale dhe kohën e kaluar me familjen.
Sipas rekomandimeve të specialistëve, koha e kaluar para ekranit për argëtim nuk duhet të kalojë një deri në dy orë në ditë, pa llogaritur përdorimin për shkollë ose mësim. Gjithashtu, këshillohet që të krijohen momente pa telefona, si gjatë vakteve, aktiviteteve familjare apo shëtitjeve.
Po ashtu, rekomandohet që telefoni të mos përdoret të paktën një orë para gjumit dhe të mos mbahet pranë shtratit gjatë natës, pasi adoleshentët kanë nevojë për 8 deri në 10 orë gjumë cilësor dhe përdorimi i vonshëm i pajisjeve elektronike mund të ndikojë negativisht në cilësinë e pushimit. /Telegrafi/





