Një ish-futbollist shqiptar, i cili ka veshur edhe fanellën e Kombëtares së Shqipërisë, ka përfunduar në prangat e policisë franceze nën akuzën e shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Bëhet fjalë për Olgerd Mukën, ish-lojtarin e disa skuadrave të njohura shqiptare, i cili është ndaluar në qytetin e Dizhonit në Francë, pasi policia e kishte mbajtur nën vëzhgim për disa ditë.

Sipas mediave franceze, pas më shumë se 10 ditësh monitorim, autoritetet kanë ndërhyrë duke arrestuar Mukën dhe një tjetër shtetas shqiptar, të cilët dyshohet se po shpërndanin kokainë në një park të qytetit.
46-vjeçari ka dalë para gjykatës dhe ka dhënë versionin e tij për ngjarjen, duke shpjeguar edhe arsyet që, sipas tij, e çuan drejt këtij veprimi.
“Rreth 18 muaj më parë kalova një sëmundje dhe më shkarkuan nga puna”, raportohet të ketë thënë Muka gjatë dëshmisë së tij, duke pretenduar se vështirësitë ekonomike e kishin shtyrë drejt kësaj zgjedhjeje.
Ish-futbollisti ka një karrierë të gjatë në futbollin shqiptar, ku ka luajtur me skuadra si Lushnja, Teuta, Dinamo, Bylis, Flamurtari, Partizani dhe Besa, ndërsa ka qenë pjesë edhe e Kombëtares shqiptare në disa ndeshje miqësore.
Pas përfundimit të karrierës si futbollist, Muka kishte nisur rrugëtimin si trajner, por sipas dëshmisë së tij, problemet shëndetësore dhe humbja e vendit të punës i kishin krijuar vështirësi financiare për të dhe familjen e tij.
Tashmë ish-futbollisti shqiptar përballet me procedurat ligjore në Francë për akuzat që rëndojnë ndaj tij. /Telegrafi/





