Trajneri i ri i Liverpoolit, Andoni Iraola, ka folur për strategjinë e klubit në afatin kalimtar veror, duke theksuar se përforcimi i skuadrës mbetet një prioritet përpara nisjes së sezonit të ri.
Trajneri spanjoll bëri të ditur se Liverpooli do të mbetet aktiv në afatin kalimtar, por çdo lëvizje do të varet nga mundësitë që ofron tregu dhe nga vlerësimi i drejtuesve për lojtarët aktualë të skuadrës.
“Është e vështirë të përcaktohet një numër. Kur afati kalimtar është e hapur, duhet të jesh gjithmonë i gatshëm të shqyrtosh mundësi të reja për ta përmirësuar skuadrën”, deklaroi Iraola.
Ai pranoi se ekzistojnë disa pozicione ku Liverpooli ka nevojë të ndërhyjë, duke veçuar repartin ofensiv në krah.
“Ka disa situata të qarta ku kemi nevojë për afrime. Për shembull, në krahun e sulmit na duhet patjetër një lojtar”.
“Për pozicionet e tjera, do të analizojmë atë që ofron tregu, koston e transferimeve, si dhe mënyrën se si i vlerësojmë lojtarët që kemi aktualisht në skuadër”, përfundoi ai.
Deklaratat e Iraolës lënë të kuptohet se drejtuesit e Liverpoolit do të vazhdojnë të monitorojnë tregun gjatë javëve në vijim, me objektivin për t’i ofruar trajnerit një skuadër sa më konkurruese.
Pritet që “The Reds” të intensifikojnë përpjekjet për afrimin e një anësori cilësor, ndërsa nuk përjashtohen lëvizje edhe në pozicione të tjera, në varësi të zhvillimeve në afatin kalimtar. /Telegrafi/






