Një video e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq gjatë fushatës zgjedhore është bërë virale në rrjetet sociale, duke nxitur një numër të madh reagimesh dhe komentesh nga përdoruesit.
Në pamjet e publikuara, Vuçiq shfaqet duke vizituar familje në shtëpitë e tyre dhe duke zhvilluar biseda me qytetarët, në kuadër të aktiviteteve të tij para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Serbi.
Në një prej videove, Vuçiq shkon në shtëpinë e një familjeje dhe i dhuron lule zonjës që i hap derën. Më pas ai bisedon me familjarët për jetën e tyre, punën dhe planet për të ardhmen.

Në një moment, ai shprehet se është i lumtur që familja ka vendosur të qëndrojë në Serbi, ndërsa pyet një prej anëtarëve nëse ka një pagë të mjaftueshme për një jetë të mirë.
24K views · 144 reactions | Pronadji razliku | Imam Lud Da Sam Papir 2 www.facebook.com
Skenat kanë shkaktuar reagime të ndryshme në rrjetet sociale, ku disa përdorues e kanë cilësuar videon si të pazakontë dhe kanë komentuar mënyrën se si është realizuar takimi.
Një pjesë e komenteve e kanë krahasuar stilin e videos me skena nga filmi satirik “Borat”, ndërsa të tjerë kanë ironizuar me natyrën e paraqitjes së Vuçiqit në familjet e qytetarëve.
Video të tilla janë përdorur edhe më herët në fushatat politike të Vuçiqit. Në një spot të publikuar para zgjedhjeve të vitit 2023, ai shfaqej duke vizituar një familje në Leskovc dhe duke diskutuar me ta për punën, pagat dhe vendimin për të qëndruar në Serbi. Edhe atëherë, videoja kishte shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale.
Në Serbi, Vuçiq ka njoftuar se më 27 shtator do të japë dorëheqje nga posti i presidentit dhe më pas do të përfshihet në fushatën për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të caktuara për 25 tetor. /Telegrafi/





