Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se administrata e presidentit amerikan, Donald Trump po shtyn përpara tre hapa që synojnë rifillimin e diplomacisë me Rusinë.
Sipas tij, propozimet përfshijnë një armëpushim ndaj infrastrukturës energjetike, rihapjen e korridorit të grurit në Detin e Zi dhe zhvillimin e një takimi trepalësh mes SHBA-së, Rusisë dhe Ukrainës.

Ai tha se takimi trepalësh mund të zhvillohet në Abu Dhabi, ndërsa theksoi se Ukraina është e gatshme të marrë pjesë në çdo format dhe në çdo vend.
Sipas liderit ukrainas, propozimi për armëpushim ndaj infrastrukturës energjetike ka ardhur nga SHBA-ja dhe Kievi është i gatshëm ta pranojë.
“Momentalisht në tryezë është një propozim: armëpushim ndaj infrastrukturës energjetike. Ne jemi gati”, tha Zelensky.
Ai shtoi se gjatë bisedës me Trumpin kishte kërkuar që një takim trepalësh të zhvillohej me synimin që armëpushimi ndaj infrastrukturës energjetike të ishte një nga rezultatet e para.
“Jemi të hapur – për çdo vend, për çdo format”, u shpreh Zelensky.
Ndryshe, Zelensky ka takuar gjatë ditëve të kaluara presidentin amerikan, Trump në selinë e Kombeve të Bashkuara. /Telegrafi/





