Kastrioti ka fituar për herë të parë në histori Superkupën e Kosovës në hendboll, pasi në një finale dramatike mposhti Besa Famgasin me rezultat 27:26.
Heroi i skuadrës ferizajase ishte Jeton Bislimi, i cili shënoi pak sekonda para fundit dhe i dha Kastriotit trofeun, duke shkaktuar festë të madhe në palestrën “Bill Clinton”, para një numri të madh të shikuesve.
Besa Famgas e kontrolloi pjesën më të madhe të pjesës së parë dhe pati epërsi në disa momente, por skuadrat shkuan në pushim me rezultat të barabartë, 14:14. Në pjesën e dytë, skuadra pejane u shkëput deri në 20:15, por Kastrioti nuk u dorëzua.
Të përkrahur fuqishëm nga tribunat, vendasit gradualisht e ngushtuan diferencën dhe arritën ta barazojnë rezultatin në minutën e fundit, kur Patryk Gregulowski realizoi për 26:26. Besa nuk arriti ta shfrytëzonte sulmin e fundit, ndërsa në aksionin pasues Bislimi shënoi golin vendimtar për fitoren e Kastriotit.
Gregulowski ishte golashënuesi më i mirë te Kastrioti me gjashtë gola, ndërsa Bislimi realizoi pesë. Te Besa Famgas, Deniz Terqizi shënoi tetë gola, kurse Ilir Istrefaj, Jon Muqolli dhe Yassine Henahen realizuan nga katër.
Kastrioti, që është kampion në fuqi dhe fitues i Kupës së Kosovës, tashmë e ka shtuar në koleksionin e tij edhe trofeun e Superkupës. /Telegrafi/






