17-vjeçari Kadir Hovarda, ka krijuar një platformë digjitale në gjuhën shqipe, e cila synon të mbledhë dhe të prezantojë materiale e burime që lidhen me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe luftën e viteve 1998–1999.
Platforma, e titulluar “Kosova Arkiv 1998–1999”, është krijuar me synimin që dokumentet dhe materialet që lidhen me periudhën e luftës të jenë më të qasshme për publikun shqipfolës.

Sipas përshkrimit të projektit, materialet e publikuara janë verifikuar para se të përfshihen në platformë.
Nisma vjen në një kohë kur arkivimi dhe dokumentimi i historisë së luftës së Kosovës po merr rëndësi të veçantë, përfshirë qasjen në dokumente, dëshmi dhe materiale historike.
Projekte të ngjashme arkivore theksojnë rëndësinë e përdorimit të burimeve të kontrollueshme dhe të dallimit mes fakteve të dokumentuara, dëshmive personale dhe interpretimeve.
Platforma e Hovardës është e qasshme online dhe mund të vizitohet përmes këtij arkivi digjital “Kosova Arkiv 1998–1999”.
Iniciativa e 17-vjeçarit paraqet një përpjekje për ta mbledhur në një faqe materiale që mund t’u shërbejnë qytetarëve, nxënësve, studentëve dhe studiuesve që duan të njihen më nga afër me periudhën e luftës së fundit në Kosovë./Telegrafi/





