Përmeti, destinacion turistik përtej sezonit, Bashkia synon të tërheqë vizitorë gjatë gjithë vitit

Nacionale

Përmeti nuk njeh sezon. Edhe në këto ditë vjeshte, qyteti vijon të mirëpresë turistë vendas e të huaj, të cilët zgjedhin ta zbulojnë përmes natyrës, traditës, historisë dhe atraksioneve që ofron. Nga qendra e qytetit, te zonat përreth, Përmeti mbetet një prej destinacioneve që po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e vizitorëve. “Ka kaluar […]

Madhësia e shkronjave

Përmeti nuk njeh sezon. Edhe në këto ditë vjeshte, qyteti vijon të mirëpresë turistë vendas e të huaj, të cilët zgjedhin ta zbulojnë përmes natyrës, traditës, historisë dhe atraksioneve që ofron. Nga qendra e qytetit, te zonat përreth, Përmeti mbetet një prej destinacioneve që po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e vizitorëve.

“Ka kaluar nga një turizëm sezonal në një turizëm gjithëvjetor. Që do të thotë se edhe në stinën e vjeshtës, Përmeti vizitohet nga shumë turistë vendas dhe të huaj.

Atraksionet më të vizituara në Përmet janë Bredhi i Hotovës, Banjat e Bënjës, kishat që datojnë me hershmërinë e tyre, si Kisha e Kosinës, Kisha e Leusës dhe shumë objekte të tjera kulti, objekte natyrore dhe objekte historike.

Kemi dhe Muzeun Etnografik në Përmet, i cili është bërë edhe ky mjaft i vizituar nga vizitorët vendas dhe të huaj”, tha Etleva Myftari, Drejtoreshë e Turizmit, Përmet.

Aktivitetet e zhvilluara nga Bashkia e Përmetit, në bashkëpunim me operatorët turistikë, kanë synuar promovimin e mëtejshëm të potencialeve të zonës dhe krijimin e një oferte turistike që tërheq vizitorë përgjatë gjithë vitit.

Shifrat dëshmojnë rritjen e interesit për këtë destinacion. Vetëm gjatë periudhës janar–gusht, Përmetin e kanë vizituar rreth 130 mijë turistë vendas dhe të huaj.