Një grua 34-vjeçare në Ontario të Kanadasë është përballur me 65 akuza penale, pasi dyshohet se ka kryer vjedhje dhe mashtrime ndaj pacientëve dhe stafit në disa institucione shëndetësore në provincë.
Policia Provinciale e Ontarios (OPP) e ka identifikuar të dyshuarën si Nassim Eronn, nga Burlington, rreth 56 kilometra në jug të Torontos.
Sipas policisë, hetimi nisi pas disa raportimeve për vjedhje dhe mashtrime brenda institucioneve shëndetësore. Incidentet dyshohet se kanë ndodhur nga shkurti i vitit 2024 deri në shtator të vitit 2026, ndërsa gruaja kishte punuar në disa qendra shëndetësore në provincë.
Ajo përballet me 34 akuza për mashtrim nën 5,000 dollarë, 13 akuza për vjedhje nën 5,000 dollarë dhe shtatë akuza për mosrespektim të një urdhri gjykate. Në listën e akuzave përfshihen gjithashtu shkelja e besimit dhe paraqitja e rreme e identitetit.
Hetimi nisi në maj, pas një raportimi për vjedhje në Orillia Soldiers’ Memorial Hospital, rreth 130 kilometra në veri të Torontos. Më pas, hetuesit e zgjeruan atë në spitale të tjera, ku zbuluan raste të tjera të dyshuara, transmeton Telegrafi.
Policia tha se ka ekzekutuar disa urdhër-kërkime dhe ka sekuestruar “sasi të konsiderueshme” sendesh. Ende nuk është bërë e qartë se cilat kanë qenë detyrat e sakta të 34-vjeçares në institucionet ku kishte punuar.
Hetuesit besojnë se mund të ketë viktima të tjera dhe u kanë bërë thirrje pacientëve dhe punonjësve të kontrollojnë llogaritë e tyre financiare për transaksione të dyshimta dhe të kontaktojnë policinë nëse kanë informacione relevante.
Hetimi përfshin pesë institucione shëndetësore në Ontario:
Orillia Soldiers’ Memorial Hospital – nga prilli 2025 deri në mars 2026;
Headwaters Health Care Centre, Orangeville – nga gushti deri në shtator 2026;
Trillium Health Partners – Mississauga Hospital – nga gushti 2025 deri në korrik 2026;
St Joseph’s Health Centre, Toronto – nga korriku 2024 deri në janar 2025;
West Park Health Care Centre, Toronto – nga shkurti deri në prill 2024.
Policia ka vijuar hetimet për të përcaktuar përmasat e plota të rastit dhe nëse ka persona të tjerë të prekur nga veprimet për të cilat gruaja akuzohet. /Telegrafi/






