Gjyqtari slloven Slavko Vincic, i cili drejtoi finalen e Kupës së Botës 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës, ka folur për herë të parë për ngjarjet që shoqëruan ndeshjen e madhe.
Vincic njoftoi tërheqjen e tij nga futbolli pas finales së diskutuar, ku Spanja mposhti Argjentinën me rezultat 1-0 pas dy pjesëve shtesë, në një duel që u shoqërua me shumë polemika.
Në një intervistë për gazetën sllovene Sport, gjyqtari u pyet edhe për bisedën që pati gjatë ndeshjes me kapitenin e Argjentinës, Lionel Messin.
“Do ta lë atë bisedë në fushë. Por mund të them se Messi u soll në mënyrë sportive”, deklaroi Vincic.
Duke folur për përzgjedhjen e tij për të drejtuar finalen e Botërorit, ai pranoi se lajmi fillimisht ishte një surprizë e madhe, por më pas u shndërrua në krenari.
“Në fillim ishte një tronditje. Më pas ndjeva krenari për ekipin tonë të arbitrimit, që do të përfaqësonte Slloveninë në këtë skenë të rëndësishme, në eventin më të madh sportiv në botë. Gjithashtu ndjeva krenari për Federatën Sllovene të Futbollit dhe trupën e gjyqtarëve”, tha ai.
“E dija se ishte një përgjegjësi shumë e madhe. Duhej të ishim të denjë për këtë besim dhe ta përfundonim ndeshjen me sukses”, shtoi ai.
Sipas tij, finalja mes dy fuqive të mëdha të futbollit botëror kishte vendosur një presion të jashtëzakonshëm mbi ekipin e gjyqtarëve.
“Një ndeshje e tillë e Kupës së Botës vendosi presion të madh mbi ekipin e gjyqtarëve, për shkak të rëndësisë së përballjes mes dy kombëtareve të mëdha”, u shpreh Vincic.
Në fund, Vincic mbrojti edhe përdorimin e teknologjisë VAR, duke theksuar se futbolli modern nuk mund të gjykohet pa ndihmën e saj.
“Gabimi mund të korrigjohet duke parë pamjet. Me shpejtësinë e futbollit modern është e pamundur të shohësh gjithçka. Nuk mund ta imagjinoj ndarjen e drejtësisë pa ndihmën e teknologjisë”, përfundoi ai./Telegrafi/






