Filmi “Thirrja”, me regji të Mirak Zymberajt, ka shënuar një tjetër sukses në arenën ndërkombëtare, duke u vlerësuar me Çmimin “Media Award” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit “Ferfilm Fest”, edicioni i XIV.
Lajmi është bërë i ditur përmes një njoftimi në rrjete sociale, ku theksohet se ky vlerësim vjen pas një sërë arritjesh që filmi ka pasur edhe më herët në festivale të ndryshme ndërkombëtare. “Filmi THIRRJA në regji të Mirak Zymberaj fiton ÇMIMIN – MEDIA AWARD në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit – Ferfilm Fest, edicioni XIV, pas sukseseve të shumta ndërkombëtare. Urime ekipës së filmit”, thuhet në postimin ku shoqërohet edhe me pamje nga festivali.
Në këtë projekt kinematografik kanë marrë pjesë aktorët Mentor Zymberaj, Albina Osmani, Miran Zymberaj dhe Art Pasha, ndërsa pjesa teknike dhe kreative është realizuar nga një ekip i gjerë profesionistësh.
Drejtori i fotografisë (DOP) është Blerim Gjinovci, ndërsa montazhi është punuar nga Ermal Duli. Muzika e filmit mban firmën e Memli Kelmendit, skenografia është realizuar nga Zeni Ballazhi, ndërsa për kostumet janë kujdesur Mrike Zymberaj dhe Monda Beqiri.
Në departamentin e audios ka punuar Muha Veseli, ndërsa color grading është realizuar nga Joni Mithi dhe Lorena Sopi. Fotografitë janë shkrepur nga Dardan Kabashi, asistent i regjisë ishte Granit Dragaj, ndërsa skenari është shkruar nga Mentor Zymberaj. Projekti mban vulën regjisoriale të Mirak Zymberajt.
Ky çmim në “Ferfilm Fest” shihet si një tjetër dëshmi se filmi “Thirrja” po vazhdon rrugëtimin e tij të suksesshëm, duke përfaqësuar denjësisht kinemanë shqiptare dhe ekipin realizues në skenën ndërkombëtare. /Telegrafi/






