“Për kokërr të qejfit” – Hardh Fest 2026 mblodhi mijëra vizitorë në Rahovec, organizatorët: Pritshmëritë tona u tejkaluan

Magazina

Rahoveci për tri ditë radhazi u shndërrua në një prej pikave kryesore të muzikës dhe argëtimit në Kosovë, me mbajtjen e edicionit të 12-të të Hardh Fest, i cili u zhvillua më 4, 5 dhe 6 shtator. Festivali tashmë tradicional riktheu edhe këtë vit atmosferën e veçantë në qytetin e rrushit, duke bashkuar muzikën, verën […]

Madhësia e shkronjave

Rahoveci për tri ditë radhazi u shndërrua në një prej pikave kryesore të muzikës dhe argëtimit në Kosovë, me mbajtjen e edicionit të 12-të të Hardh Fest, i cili u zhvillua më 4, 5 dhe 6 shtator.

Festivali tashmë tradicional riktheu edhe këtë vit atmosferën e veçantë në qytetin e rrushit, duke bashkuar muzikën, verën dhe kulturën lokale me një program të pasur artistik dhe një numër të madh vizitorësh.

Telegrafi ishte i pranishëm gjatë festivalit, duke përcjellë nga afër atmosferën dhe zhvillimet në Rahovec, ndërsa zhvilloi edhe intervista me ekipin organizativ dhe artistët që ishin pjesë e këtij edicioni.

Koordinatorja e festivalit, Doruntina Shala, tha për Telegrafin se pas 12 edicionesh organizimi është bërë më i konsoliduar, ndonëse sfidat e vogla nuk mungojnë.

“Ky është edicioni i dymbëdhjetë i Hardh Fest dhe besoj që kemi arritur në një pikë ku nuk është më aq e vështirë dhe nuk po kemi shumë sfida gjatë rrugës. Gjithsesi, secila punë i ka sfidat e veta, por me shumë punë, dashni dhe përkushtim, nuk po i vërejmë ato”, u shpreh Shala.

Ajo theksoi se një prej synimeve të festivalit është që çdo vit të sjellë artistë të njohur vendorë dhe ndërkombëtarë, duke krijuar një program që i përgjigjet interesimit të publikut.

“Ne gjithmonë si Hardh Fest mundohemi që secilën natë të sjellim artistë ndërkombëtarë dhe vendorë, të cilët janë senzacion i vitit dhe i momentit. Kështu që besoj që çdo vit po arrijmë të sjellim diçka të re”, tha ajo, duke përmendur edhe artistët e këtij edicioni, mes tyre Tuna me bend dhe Naser Berisha.

Sipas Shalës, një prej treguesve kryesorë të suksesit të festivalit është rritja e vazhdueshme e numrit të vizitorëve. Ajo bëri të ditur se vitin e kaluar Hardh Fest kishte rreth 60 mijë vizitorë, ndërsa këtë vit pritshmëritë ishin që ky numër të tejkalohej.

“Ne jemi shumë të lumtur, sepse qëllimi i Hardh Fest dhe i çdo festivali tjetër është t’i kalojë pritshmëritë e vitit paraprak. Kështu që çdo vit kemi pasur rritje. Vitin e kaluar kemi pasur rreth 60 mijë vizitorë dhe këtë edicion po presim ta kalojmë gjashtëdhjetëmijëshin”, deklaroi Shala.

Edhe CEO i Hardh Fest, Agron Sokoli, foli për suksesin e këtij edicioni, duke theksuar se fluksi i vizitorëve kishte nisur që nga orët e para të ditës dhe kishte vazhduar përgjatë gjithë natës.

“Festivali është tanimë tradicional, është edicioni i dymbëdhjetë i Hardh Fest. Jemi munduar t’i krijojmë të gjitha bazat, përmbajtjet dhe aktivitetet, si dhe koncertet, dhe e kemi gjetur një formulë që të jetë në një masë kaq të madhe, që ka rezultuar shumë e suksesshme”, tha Sokoli për Telegrafin.

Ai shtoi se pritshmëritë e organizatorëve ishin tejkaluar, pasi numri i vizitorëve ishte rritur ndjeshëm që nga aktivitetet e paradites.

“Pritshmëritë tona janë tejkaluar. Ne kemi pritur një numër më të vogël vizitorësh, por duke nisur nga aktivitetet e mëngjesit ka filluar fluksi i vizitorëve dhe ka vazhduar pandërprerë. Festivali ka nisur në orën 11:00 dhe gjatë gjithë natës ka pasur një fluks të jashtëzakonshëm, ndërsa sot vazhdon me një vizitueshmëri të paparë”, u shpreh ai.

Në mesin e artistëve që performuan këtë vit ishte edhe Naser Berisha, i cili riktheu në skenë këngët e tij të njohura, duke shprehur kënaqësinë që më në fund kishte arritur të ishte pjesë e Hardh Fest.

“Jam njoftuar edhe para dy vitesh, por nuk u krijua situata që të vija. Prandaj jam shumë i gëzuar që këtë radhë m’u mundësua të vij dhe besoj që do ta kalojmë një mbrëmje shumë të mirë”, tha Berisha.

Ai foli edhe për rikthimin e muzikës live dhe interesimin gjithnjë e më të madh të publikut për festivalet dhe performancat me instrumentistë në skenë.

“Vitet e fundit, sidomos dy-tri vitet e fundit, janë duke u organizuar shumë festivale të mëdha, shumë festivale live. Kjo na ka kthyer edhe neve, ndoshta pas shumë vitesh, kur kemi bërë këngët, albumet dhe hitet tona, ndërsa publiku ka filluar të ketë një lloj nostalgjie. Në anën tjetër, ndoshta ka filluar të dëgjojë përsëri muzikë live, me njerëz dhe instrumentistë të gjallë. Kjo na bën edhe neve të ndihemi përsëri mirë”, përfundoi Berisha.

Edicioni i 12-të i Hardh Fest dëshmoi edhe një herë se festivali tashmë është shndërruar në një ngjarje të rëndësishme kulturore dhe muzikore, jo vetëm për Rahovecin, por edhe për vizitorët nga e gjithë Kosova dhe diaspora.

Për tri ditë, Rahoveci u mbush me muzikë, verë dhe mijëra vizitorë, ndërsa organizatorët tashmë kanë nisur të mendojnë për edicionin e ardhshëm dhe për mënyrat se si ta tejkalojnë suksesin e këtij viti. /Telegrafi/