Drejtori i Institutit “Octopus”, Arben Fetoshi, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke bërë thirrje për maturi, unitet politik dhe përqendrim te procesi i apelit.
Fetoshi ka thënë se vendimi ka shkaktuar “revoltë të kuptueshme”, por sipas tij, reagimi i Kosovës duhet të jetë i matur dhe strategjik.
“Gjykata Speciale ishte një padrejtësi e imponuar ndaj Kosovës, me insistimin e partnerëve strategjikë, pas reve të zeza të krijuara nga fabrikimet monstruoze ndaj UÇK-së dhe udhëheqësve të saj”, ka shkruar Fetoshi.
Ai është shprehur kundër thirrjeve për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, duke theksuar se një iniciativë e tillë, ndonëse procedurialisht e mundshme në Kuvend, sipas tij mund të ketë pasoja ndërkombëtare për Kosovën.

“Thirrjet e sotme për shfuqizim, ndonëse të mundshme si procedurë në Kuvend, nuk e zgjidhin dot çështjen dhe mund të kenë pasoja serioze ndërkombëtare për Kosovën”, ka deklaruar ai.
Fetoshi ka përmendur edhe bazën juridike të Gjykatës Speciale, duke theksuar se ajo, sipas tij, nuk mbështetet vetëm në ligjin për themelimin e saj, por edhe në marrëveshjen ndërkombëtare me BE-në dhe nenin 162 të Kushtetutës së Kosovës.
“Po, vendimi i sotëm është skandaloz. Por, mllefi s’duhet të jetë strategjia jonë shtetërore”, ka shkruar ai.
Sipas Fetoshit, çdo incident apo përshkallëzim mund të dëmtojë pozitën e Kosovës dhe t’i shërbejë propagandës së Serbisë.
“Nëse mllefin e kthejmë sot në veprime që mund të instrumentalizohen, ky do të ishte rreziku fatal për sakrificën sublime të UÇK-së dhe udhëheqësve të saj”, ka thënë ai.
Ai ka theksuar se sulmet nuk mund ta ndryshojnë vendimin e Gjykatës Speciale, ndërsa mund ta dobësojnë, sipas tij, pozitën ndërkombëtare të Kosovës.
Fetoshi ka kërkuar që vëmendja të përqendrohet te procesi i apelit.
“Thirrjet revoltuese për zhbërjen e gjykatës nuk duhet ta zëvendësojnë atë që është beteja më e rëndësishme në vazhdim: Apeli”, ka shkruar ai.
Në këtë drejtim, Fetoshi ka propozuar që liderët institucionalë dhe politikë të Kosovës të dalin në një konferencë të përbashkët për media dhe t’u bëjnë thirrje qytetarëve për qetësi, maturi dhe përmbajtje.
Sipas tij, një qëndrim i përbashkët do t’u dërgonte mesazh edhe partnerëve ndërkombëtarë se Kosova e kundërshton vendimin, por njëkohësisht është e bashkuar në mbrojtjen e interesave të saj.
“Sot dhimbja është legjitime, por duhet të jemi të bashkuar, për të mos e dëmtuar shtetin tonë. Asnjë veprim në afekt dhe asnjë incident publik nuk është në interesin e Kosovës”, ka shkruar Fetoshi.
Në përfundim, ai e ka përmbledhur qasjen e tij në tri drejtime: betejë juridike për apelin, betejë politike për unitetin dhe betejë strategjike për interesat e Republikës së Kosovës./Telegrafi/





