Ylli i Paris Saint-Germain, Desire Doue, nuk e fshehu emocionin pas triumfit të madh në finalen e Ligës së Kampionëve, ku kampionët francezë mposhtën Arsenalin me rezultat 4-3 pas ekzekutimit të penalltive, pasi ndeshja u mbyll 1-1 pas kohës së rregullt dhe vazhdimeve.
Menjëherë pas ndeshjes, talenti francez foli për TNT Sports, duke vlerësuar si suksesin e skuadrës së tij, ashtu edhe paraqitjen e kundërshtarit.
“Jemi jashtëzakonisht krenarë sonte. Jemi shumë të lumtur dhe shumë mirënjohës. Ishte një ndeshje e vështirë kundër një skuadre shumë të mire”.
“Duhet t’i përgëzojmë sepse kanë zhvilluar një sezon fantastik. Por tani duhet ta shijojmë këtë moment si skuadër, si familje, sepse mendoj se e meritojmë”, deklaroi Doue.
PSG u përball me një Arsenal tepër konkurrues në “Puskas Arena” të Budapestit. Londinezët kaluan të parët në epërsi me Kai Havertz në minutën e gjashtë, ndërsa kampionët në fuqi barazuan në pjesën e dytë falë një penalltie të realizuar nga Ousmane Dembele.
Pas 120 minutave lojë, fituesi u përcaktua nga pika e bardhë, ku francezët treguan më shumë qetësi për të ngritur trofeun.
Triumfi ka një rëndësi historike për PSG-në, e cila u bë vetëm skuadra e dytë në epokën moderne të Ligës së Kampionëve që arrin ta mbrojë trofeun në dy sezone radhazi, duke konfirmuar dominimin e saj në futbollin evropian.
Për Doue, ky sukses përfaqëson një tjetër moment të madh në karrierën e tij të re, ndërsa PSG vazhdon të korrë frytet e një grupi që, sipas vetë lojtarit, funksionon si një familje e vërtetë./Telegrafi/






