Policia e Afrikës së Jugut njoftoi të dielën se ka nisur një operacion kërkimi pasi 17 persona u vranë dhe 15 të tjerë u plagosën gjatë të shtënave me armë zjarri në një tavernë në zonën e Wedela-s, në jugperëndim të Johanesburgut.
Shërbimet mjekësore të urgjencës konfirmuan vdekjen e 13 burrave dhe 4 grave në vendngjarje, ndërsa motivi i sulmit mbetet i panjohur, thuhet në deklaratën e Policisë së Afrikës së Jugut të publikuar në platformën X, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
“Autorët dyshohet se ishin të armatosur me pushkë AK-47 dhe pistoleta”, thuhet në deklaratë lidhur me ngjarjen, e cila ndodhi të shtunën rreth orës 21:30 në provincën Gauteng.
Pesëmbëdhjetë viktima të tjera me plagë nga armët e zjarrit u dërguan në institucionet mjekësore, bëri të ditur policia.
Nuk është kryer asnjë arrestim, thuhet në deklaratë.
Sipas policisë, autorët dyshohet se e kishin shënjestruar tavernën, duke hapur zjarr fillimisht ndaj klientëve që po pinin jashtë dhe më pas duke hyrë brenda për të vazhduar të shtënat. /Telegrafi/






