Të dielën, Teherani këmbënguli se vetëm diplomacia mund ta zgjidhë konfliktin e tij me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se e kishte refuzuar një propozim iranian për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe dhënien fund të luftimeve.
“Kushtet tona janë të qarta dhe çdo lëvizje drejt rihapjes së Ngushticës së Hormuzit varet nga përmbushja e këtyre kushteve”, shkroi në rrjetet sociale ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi.
Sipas tij, “vetëm një zgjidhje e negociuar mund t’i nxjerrë ata nga ky ngërç”, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Irani njoftoi një propozim paqeje javën e kaluar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, duke thënë se ai u ishte përcjellë amerikanëve përmes ndërmjetësve nga Katari.
Të shtunën, Trump tha se e kishte refuzuar planin dhe argumentoi se dëshpërimi po i shtynte iranianët të kërkonin një marrëveshje për këtë rrugë ujore kyçe.
“Ata duan të bëjnë një marrëveshje për të hapur menjëherë Ngushticën e Hormuzit sepse po humbasin rëndë”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.
Pavarësisht deklaratave publike të Trumpit, ndërmjetësit që lehtësojnë bisedimet e Iranit me Shtetet e Bashkuara nuk e kanë përcjellë zyrtarisht refuzimin amerikan të planit, sipas Araghchit.
“Ne jemi në pritje që ndërmjetësit të na përcjellin qëndrimet përfundimtare dhe do të marrim një vendim bazuar në to”, shkroi Araghchi.
SHBA-ja ka vendosur një bllokadë ekonomike ndaj Iranit për t’i bërë presion Teheranit që të ndalojë sulmet iraniane ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit; këto sulme kanë reduktuar ndjeshëm transportin detar në zonë, edhe pse Trump pohon vazhdimisht se SHBA-ja e kontrollon këtë rrugë ujore.
Gazeta “The Wall Street Journal” raportoi e para se Trump e kishte refuzuar propozimin iranian, duke cituar zyrtarë amerikanë të paidentifikuar.
Ajo raportoi se Trump ishte skeptik privatisht se Irani do t’i përmbushte kërkesat e tij dhe u kishte thënë bashkëpunëtorëve se e shihte si të mundshme një fushatë të re bombardimesh pas zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, në muajin nëntor.
Një zyrtar amerikan kishte thënë më herët se diskutimet me Iranin përmes ndërmjetësve ishin “pozitive dhe konstruktive”.
Kujtojmë se edhe përpjekjet e mëparshme diplomatike kanë dështuar t’i japin fund luftës, e cila nisi më 28 shkurt me sulme të SHBA-së dhe Izraelit.
Që atëherë, lufta ka kaluar nëpër faza pauzash dhe sulmesh të përsëritura, duke shkaktuar mijëra viktima, ndërsa ka dobësuar forcat konvencionale të Iranit dhe ka dëmtuar ekonominë e tij tashmë të brishtë.
Irani dhe aleatët e tij janë kundërpërgjigjur duke e zgjeruar konfliktin në të gjithë rajonin.






