Kombëtarja e Kosovës ka bërë një ndryshim të madh në përbërjen e saj gjatë viteve të fundit, duke i dhënë gjithnjë e më shumë hapësirë një gjenerate të re futbollistësh.
Ndryshimi tashmë shihet edhe në moshën mesatare të skuadrës. Sipas të dhënave të Transfermarkt, “Dardanët” kanë një moshë mesatare prej rreth 25 vjetësh, duke dëshmuar se Kosova nuk është më e ndërtuar vetëm rreth emrave që e bartën peshën kryesore të Kombëtares në vitet e para.
Në skuadër kanë hyrë dhe po marrin rol më të rëndësishëm futbollistë të rinj, shumë prej të cilëve janë ende në fazën e ngritjes së karrierës së tyre.
Kjo gjeneratë është një përzierje mes lojtarëve që tashmë kanë përvojë ndërkombëtare dhe të rinjve që po kërkojnë ta fitojnë vendin e tyre në Kombëtare. Disa prej tyre janë rritur në akademi të njohura evropiane, ndërsa të tjerë po zhvillohen në kampionate të ndryshme të kontinentit.
Nëse dikur Kosova varej shumë nga një grup i vogël lojtarësh me përvojë, sot tabloja është ndryshe. Konkurrenca për një vend në formacion është rritur, ndërsa numri i futbollistëve të rinj që trokasin në derën e Kombëtares është shtuar.
Milot Rashica mbetet lidhja e fundit me formacionin e ndeshjes historike ndaj Finlandës në vitin 2016, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës ka pësuar një transformim të madh ndër vite.
Ky ndryshim nuk është vetëm statistikë.
Është një shenjë e qartë se Kosova po përgatit një cikël të ri, me lojtarë më të rinj dhe me potencial për të qenë pjesë e Kombëtares për shumë vite.
Erblin Osmani lojtari më i ri i Kosovës
Mesfushori i Bayern Munichut Erblin Osmani është lojtari më i ri i Kosovës, ku pavarësisht që ka një vlerë prej 2 milionë eurove – ai ka vetëm 17 vjeç.
Përndryshe, Osmani ka hyrë edhe në historinë e Kosovës, duke qenë lojtari i parë i ftuar që është më i ri se vetë pavarësia, pasi ka lindur pas 17 shkurtit 2008.
Lojtari me më eksperiencë te ekipi ynë mbetet Vedat Muriqi në moshën 32-vjeçare, ndërsa pas tij Mërgim Vojvoda me 31 vjeç dhe Milot Rashica me 30 vjeç.
Me ndryshimin e gjeneratës, Kombëtarja e Kosovës e ka pasur një ngritje të madhe në vlerë, ku tani është plot 143.95 milionë euro.
Lojtari më i vlerësuar është Fisnik Asllani me 35 milionë euro, ndjekur nga dyshja e Hoffenheimit Leon Avdullahu me 30 milionë euro dhe Albian Hajdari me 25 milionë euro, kurse lojtari i katërt është Edon Zhegrova me 10 milionë euro.
Nëse krahasohet me rivalët e grupit, Kosova qëndron më mirë se Izraeli, që vlerësohet me 104.8 milionë euro, ndërsa pas Irlandës me 188.9 milionë euro dhe kuptohet Austrisë, favoritit të grupit me 250.5 milionë euro./Telegrafi/






