Dukagjini ka mësuar kundërshtarin për raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, pas shortit të tërhequr të mërkurën në Nyon të Zvicrës.
Fituesi i Kupës së Kosovës do të përballet me skuadrën zvicerane Lugano, një kundërshtar me përvojë të konsiderueshme në garat evropiane.
Lugano e përfundoi sezonin 2025/26 në vendin e tretë të Superligës së Zvicrës, duke siguruar kështu pjesëmarrjen në garat kontinentale edhe për edicionin e ri.
Skuadra zvicerane ka qenë pjesëmarrëse e rregullt në arenën evropiane vitet e fundit dhe konsiderohet favorite në këtë përballje, megjithëse Dukagjini do të synojë të shkaktojë befasi.
Një detaj interesant i këtij dueli është prania e disa futbollistëve shqiptarë te Lugano. Portën e ekipit zviceran e mbron portieri i dytë i Kosovës, Amir Shaipi, ndërsa pjesë e skuadrës janë edhe Ezgjan Alioski dhe Uran Bislimi.
Ndeshjet e raundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës do të zhvillohen gjatë muajit korrik, ndërsa Dukagjini do të tentojë të vazhdojë aventurën evropiane përballë një prej skuadrave më të forta që mund t’i binte në short./Telegrafi/






