Demokraci Plus kërkon anulimin e tenderit 480 mijë euro të MMPH-së për angazhimin e 20 ekspertëve

Nacionale

Demokraci Plus (D+) ka kërkuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) anulimin e një procedure prokurimi në vlerë prej 480,000 euro, e cila parasheh angazhimin e 20 ekspertëve përmes Marrëveshjeve për Shërbime të Veçanta (MShV), të njohura si “kontrata mbi vepër”. Sipas organizatës, kjo procedurë nuk i përmbush kriteret ligjore për përdorimin e […]

Madhësia e shkronjave

Demokraci Plus (D+) ka kërkuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) anulimin e një procedure prokurimi në vlerë prej 480,000 euro, e cila parasheh angazhimin e 20 ekspertëve përmes Marrëveshjeve për Shërbime të Veçanta (MShV), të njohura si “kontrata mbi vepër”.

Sipas organizatës, kjo procedurë nuk i përmbush kriteret ligjore për përdorimin e MShV-ve, pasi detyrat e parashikuara për këta ekspertë lidhen me funksione të përditshme administrative dhe institucionale.

Në dosjen e tenderit me numër 210-26-4238-2-1-1, ekspertët janë të ndarë në nëntë lote dhe parashihet të angazhohen për një periudhë deri në 24 muaj, me orar të plotë prej 40 orësh në javë. Detyrat përfshijnë administrim dokumentacioni, koordinim institucional, organizim takimesh, hartim raportesh, komunikim publik dhe mbështetje teknike-administrative.

D+ vlerëson se këto funksione nuk përbëjnë shërbime të specializuara që kërkojnë kontraktim të jashtëm, por janë pjesë e punës së rregullt institucionale, e cila duhet të mbulohet përmes rekrutimit sipas Ligjit për Zyrtarët Publikë.

Organizata i referohet edhe Rregullores Nr. 002/2024 për Prokurimin Publik, e cila përcakton se kontraktorët individualë mund të angazhohen vetëm për ekspertizë specifike që nuk mund të sigurohet përmes procedurave të rregullta të administratës publike.

Sipas D+, përdorimi i Marrëveshjeve për Shërbime të Veçanta në këtë rast rrezikon të zëvendësojë procesin e rregullt të punësimit në administratë dhe bie ndesh me qëllimin e legjislacionit për prokurimin publik.

Në këtë kuadër, D+ i ka bërë thirrje MMPH-së që të anulojë procedurën e tenderimit dhe të sigurojë që angazhimi i personelit të bëhet në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi.