Tensione në takimin e Stambollit, Novosella për gruan e Kadri Zekës: Ajo gënjen nga pak

Nacionale

Sabri Novosella, në emisionin “Dosje” të RTV Dukagjinit, të udhëhequr nga Ermal Panduri, ka folur për takimin e tetorit të vitit 1981 në Stamboll dhe raportet mes Kadri Zekës dhe Jusuf Gërvallës. I pyetur nga Panduri nëse situata ishte tensionuar gjatë takimit me Kadri Zekën dhe Bardhosh Gërvallën, Novosella ka thënë se nuk mund të […]

Madhësia e shkronjave

Sabri Novosella, në emisionin “Dosje” të RTV Dukagjinit, të udhëhequr nga Ermal Panduri, ka folur për takimin e tetorit të vitit 1981 në Stamboll dhe raportet mes Kadri Zekës dhe Jusuf Gërvallës.

I pyetur nga Panduri nëse situata ishte tensionuar gjatë takimit me Kadri Zekën dhe Bardhosh Gërvallën, Novosella ka thënë se nuk mund të flitet për tensionim, por se palët kishin mbetur në qëndrimet e tyre.

“Nuk mundem të them se është tensionuar, por mbetëm para qëndrimeve tona”, ka deklaruar Novosella.

Panduri ka përmendur deklarimet e Saime Isufit, gruas së Kadri Zekës, sipas së cilës situata në takim kishte qenë aq e tensionuar sa kishte ndikuar edhe në raportet mes Kadri Zekës dhe Jusuf Gërvallës.

Novosella e ka kundërshtuar këtë version.

“Po tash më vjen keq me thënë para publikut, por ajo rren ngapak, e njoh. Edhe nuk është e vërtetë. Ato punë kanë qenë krejt normale”, ka thënë ai.

Sipas Novosellës, takimet mes Jusuf Gërvallës dhe Kadri Zekës ishin zhvilluar në funksion të përpjekjeve për bashkimin e organizatave, por dallimet mes tyre kishin qenë të mëdha në aspektin ideologjik.

“Takimi i Jusuf Gërvallës me Kadri Zekën ka qenë në vijën e bashkimit të organizatave. Ne kemi qenë për një organizatë kombëtare, çlirimtare. Ata kanë qenë për një organizatë marksiste-leniniste. Dallimi ka qenë shumë i madh”, ka deklaruar Novosella.

I pyetur nga Panduri nëse, pavarësisht dallimeve, qëllimi përfundimtar kishte qenë i njëjtë – çlirimi i Kosovës – Novosella është pajtuar, por ka theksuar se grupi të cilit ai i përkiste e shihte mbështetjen amerikane si të domosdoshme për arritjen e këtij qëllimi.

“Qëllimi ka qenë i njëjtë, por është puna që ka qenë e paralexueshme. Se kështu krahu jonë me Metush Krasniqin dhe të tjerë, ne kemi qenë të përcaktuar, një dhe një bëjnë dy, pa Amerikën çlirim nuk ka, pa Amerikë absolutisht”, ka thënë ai.

Novosella ka përsëritur këtë qëndrim edhe në kontekstin aktual, duke kritikuar kryeministrin Albin Kurti.

“Edhe sot po them, përrallat e Albin Kurtit që i tregon janë shumë të dobëta. Zoti në qiell, Amerika në tokë. Qe shiko këtu amerikanët ku i kam, këtu gjeneralin e Amerikës, i kam pasë amerikanët këtu në bibliotekë. Kështu që ne e kemi ditë, si një dhe një që bëjnë dy, që pa Amerikën çlirim nuk ka pasë”, ka deklaruar Novosella.

Panduri më pas e ka pyetur drejtpërdrejt nëse përjashton mundësinë që pas takimit të Stambollit të ketë pasur ftohje të raporteve mes Kadri Zekës dhe Jusuf Gërvallës.

“Absolutisht, jo. Jusufi qato qëndrime i ka pasë të përhershme, qëllimet kanë qenë të përbashkëta”, është përgjigjur Novosella.

Panduri ka rikujtuar se Kadri Zeka kishte ardhur me synimin për bashkimin e organizatave, por bashkimi nuk kishte ndodhur dhe se, sipas procesverbaleve të takimit, kjo kishte sjellë irritim dhe një periudhë ftohjeje në raportet mes Zekës dhe Gërvallës.

Novosella ka këmbëngulur se dallimi kryesor kishte qenë në qëndrimet ideologjike.

“Qëndrimi jonë në ballë me Metush Krasniqin, Metush Krasniqi udhëheqës i organizatës, ka qenë i qartë: pa Amerikën populli shqiptar asgjë nuk mund të bëjë. Zot mos na le pa Amerikën, kurse ata kanë pasë qëndrimin marksist-leninist”, ka përfunduar Novosella./Tv Dukagjini