Bebe Rexha ka një tjetër arsye për të festuar. Artistja shqiptare me famë botërore ka njoftuar se kënga e saj “New Religion” ka tejkaluar shifrën e 100 milionë dëgjimeve në Spotify, platformën më të madhe të muzikës në botë.
E entuziazmuar për këtë arritje, këngëtarja e ndau lajmin me ndjekësit përmes një postimi në InstaStory, ku shprehu lumturinë për suksesin që po shënon albumi i saj më i fundit “Dirty Blonde”.
“New Religion”, e publikuar si kënga kryesuese e albumit, vjen si një ripunim modern i hitit ikonik “Insomnia” të grupit Faithless, duke kombinuar elementet e muzikës elektronike klasike me stilin pop dhe dance që ka karakterizuar gjithmonë krijimtarinë e Bebe Rexhës.
Kënga është pritur shumë mirë nga publiku dhe ka vazhduar të rritet në mënyrë të qëndrueshme në platformat digjitale, derisa tashmë ka kaluar pragun e rëndësishëm të 100 milionë stream-eve në Spotify.
“Dirty Blonde”, i cili doli në shitje në muajin qershor, është albumi i katërt në karrierën e Bebe Rexhës, por ka një rëndësi të veçantë për artisten, pasi është projekti i saj i parë si artiste e pavarur.
Vitin e kaluar, Bebe i dha fund bashkëpunimit me ish-shtëpinë e saj diskografike Warner Records, duke zgjedhur të ndërtojë një kapitull të ri në karrierën e saj me më shumë liri krijuese dhe kontroll mbi muzikën që publikon.
Suksesi i “New Religion” shihet si një sinjal i fortë se ky vendim po jep rezultatet e para, ndërsa “Dirty Blonde” po vazhdon të fitojë vëmendje të madhe nga publiku dhe kritikët, duke e konfirmuar edhe një herë Bebe Rexhën si një nga artistet shqiptare më të suksesshme në skenën ndërkombëtare. /Telegrafi/






