Ish-presidenti i Filipineve, Rodrigo Duterte, është paraqitur të mërkurën për herë të parë në publik në sallën e gjyqit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN) në Hagë, 18 muaj pasi u transferua në qendrën e paraburgimit të kësaj gjykate.
Duterte përballet me akuza për vrasje dhe krime kundër njerëzimit në kuadër të “luftës kundër drogës” që ai udhëhoqi gjatë viteve të pushtetit. Ai ishte president i Filipineve nga viti 2016 deri më 2022.
Prokuroria e akuzon atë për organizimin, financimin dhe armatosjen e “skuadrave të vdekjes”, të cilat synonin shitësit dhe përdoruesit e drogës. Duterte u arrestua dhe u transferua në Hagë në mars të vitit 2025.
Gjatë seancës, gjyqtarët shqyrtuan argumentet lidhur me gjendjen e tij shëndetësore dhe aftësinë për të ndjekur procesin gjyqësor, i cili pritet të nisë në nëntor. Ekipi i tij mbrojtës pretendon se Duterte vuan nga rënie të aftësive njohëse dhe probleme me kujtesën, duke argumentuar se ai nuk është në gjendje të marrë pjesë në proces.
Në janar të këtij viti, gjyqtarët vlerësuan se Duterte ishte i aftë të merrte pjesë në seancat përgatitore dhe kërkuan që ai të paraqitej personalisht në sallën e gjyqit, në vend që të merrte pjesë përmes videolidhjes nga paraburgimi, shkruan reuters.
Urdhërarresti e akuzon Duterten për drejtimin e një fushate sistematike dhe të gjerë gjatë periudhës 2011–2019, e cila rezultoi në mijëra vrasje, përfshirë periudhën kur ai ishte kryetar i qytetit Davao.
Sipas statistikave zyrtare të policisë, në këto operacione u vranë rreth 6,200 persona, ndërsa prokurorët e GJPN-së vlerësojnë se numri real i viktimave mund të arrijë deri në 30 mijë.
Duterte ka pretenduar më herët se policisë i kishte urdhëruar të vepronte vetëm në vetëmbrojtje, ndërsa gjatë fushatës së tij presidenciale në vitin 2016 kishte premtuar një luftë të ashpër kundër krimit të lidhur me drogën.
Prokuroria e akuzon atë për tri pika të krimeve kundër njerëzimit dhe për përfshirje në të paktën 76 vrasje. Duterte është ish-presidenti i parë aziatik i akuzuar para GJPN-së dhe i dyshuari i parë i transferuar në Hagë pas më shumë se tri vjetësh. /Telegrafi/






