Shembet miniera e arit në Sudan, të paktën 60 të vdekur dhe shumë të zhdukur

Bota

Të paktën 60 minatorë të vegjël kanë humbur jetën dhe shumë të tjerë rezultojnë të zhdukur pas shembjes së një miniere ari në rajonin West Kordofan të Sudanit. Ngjarja ka ndodhur në minierën Al-Zaraa, pranë qytetit El-Nahud, ku një pjesë e tuneleve filloi të shembej të martën. Sipas raportimeve, dy puse ishin hapur shumë pranë […]

Madhësia e shkronjave

Të paktën 60 minatorë të vegjël kanë humbur jetën dhe shumë të tjerë rezultojnë të zhdukur pas shembjes së një miniere ari në rajonin West Kordofan të Sudanit.

Ngjarja ka ndodhur në minierën Al-Zaraa, pranë qytetit El-Nahud, ku një pjesë e tuneleve filloi të shembej të martën. Sipas raportimeve, dy puse ishin hapur shumë pranë njëri-tjetrit, duke shkaktuar shembjen e strukturave të nëndheshme.

Minatorët që i mbijetuan incidentit kanë deklaruar se ende nuk dihet numri i saktë i personave që mund të kenë mbetur të bllokuar nën rrënoja, transmeton Telegrafi.

Një prej të mbijetuarve, Khair al-Sayyed Jabara, i tha AFP-së se operacioni i shpëtimit ka vazhduar gjatë gjithë natës. Megjithatë, minatorët po përpiqen të nxjerrin të mbijetuarit ose trupat e viktimave duke përdorur të njëjtat mjete primitive që përdorin për nxjerrjen e arit.

“Çdo njeri po punon shumë për të nxjerrë trupat ose ndonjë të mbijetuar, por është e vështirë. Na duhen makineri të rënda për të larguar shkëmbinjtë dhe dheun”, deklaroi ai.

Mungesa e makinerive të rënda është një problem i zakonshëm në zonat ku zhvillohet minieraria artizanale dhe në shkallë të vogël, duke e bërë edhe më të vështirë ndërhyrjen pas aksidenteve të tilla.

Industria e arit është bërë gjithnjë e më e rëndësishme për ekonominë sudaneze që prej fillimit të luftës civile në prill të vitit 2023, duke siguruar një burim të rëndësishëm të ardhurash për një ekonomi të shkatërruar nga konflikti.

Lufta shpërtheu në prill 2023 mes Forcave të Armatosura të Sudanit dhe forcave paramilitare të Rapid Support Forces (RSF).

Konflikti ka shkaktuar një krizë të rëndë humanitare dhe zhvendosjeje. Sudani po përballet me një nga krizat më të mëdha të zhvendosjes në botë, ndërsa rreth 20 milionë njerëz përballen me nivele krize të urisë.

Ndërkohë, ekipet e shpëtimit dhe minatorët lokalë vazhdojnë kërkimet në minierën e shembur, ndërsa ende nuk dihet numri përfundimtar i viktimave. /Telegrafi/