Një vajzë 15-vjeçare në Guatemalë, e cila besohej se kishte vdekur, është zgjuar papritur brenda arkivolit gjatë funeralit të saj, në një moment që ka tronditur familjarët dhe të pranishmit.
Ngjarja e pazakontë përfshiu Yuleidy Ixcotoyac, e cila humbi ndjenjat teksa babai i saj, Abraham Ixcotoyac, po e dërgonte me veturë drejt një qendre mjekësore.
Babai ndaloi automjetin dhe kontrolloi frymëmarrjen dhe pulsin e së bijës. Duke besuar se ajo nuk po merrte frymë dhe nuk kishte puls, ai mendoi se vajza kishte vdekur. Megjithatë, gjendja e saj nuk u konfirmua nga një mjek dhe nuk u lëshua certifikatë zyrtare e vdekjes.
Për shkak të traditës së varrimit brenda një kohe të shkurtër në zonën ku jeton familja, u blenë një arkivol dhe u organizua ceremonia mortore vetëm tetë orë pasi vajza kishte humbur ndjenjat, shkruan nypost.
Gjatë ceremonisë në fshatin El Jocote, nëna e saj, Lesvia Ríos, vuri re lëvizje brenda arkivolit. Kur familjarët e hapën, adoleshentja filloi të lëvizte dhe papritur u ngrit, duke i lënë të pranishmit të tronditur.
Pamjet e publikuara në internet tregojnë momentin kur familjarët e ndihmojnë vajzën të dalë nga arkivoli dhe i japin ujë. Reagimet e tyre kaluan nga pikëllimi në gëzim, ndërsa disa prej tyre bërtisnin “aleluja”.
Duke kujtuar momentet para se të humbiste ndjenjat, Yuleidy tha se kishte ndier dhimbje të forta në gjoks dhe një rëndesë në zemër, para se të alivanoshej.
Adoleshentja është e vetëdijshme dhe po rikuperohet. Ajo e ka cilësuar ngjarjen si një mrekulli dhe ka shprehur mirënjohje që është gjallë.
Ngjarja ka nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale, ku disa e kanë cilësuar si mrekulli, ndërsa të tjerë kanë shprehur shqetësim për faktin se vdekja e vajzës nuk ishte konfirmuar nga personeli mjekësor.
Autoritetet shëndetësore të Guatemalës nuk kanë komentuar ende rastin. /Telegrafi/






