Kimberly Guilfoyle ka reaguar pozitivisht ndaj kërkesës së presidentit amerikan, Donald Trump.
Ajo dha dorëheqje të martën si ambasadore e SHBA-së në Greqi, pas akuzave për sjellje të papërshtatshme, të cilat i mohoi, duke u zotuar se do të “mbrohet fuqishëm” ndaj tyre
Në një deklaratë të publikuar në rrjetin social X, Guilfoyle tha se shërbimi si ambasadore amerikane në Greqi kishte qenë nderi më i madh i jetës së saj, ndërsa shprehu mirënjohje për presidentin Donald Trump dhe sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, që i kishin besuar përfaqësimin e SHBA-së.
Ajo theksoi se, që nga dita e parë në këtë detyrë, kishte punuar për të zbatuar agjendën e Trumpit “Amerika e Para”, për të forcuar aleancën strategjike me Greqinë dhe për të arritur rezultate konkrete në dobi të popullit amerikan.
E dërguara e Trumpit e paralajmëroi ministrin grek se SHBA-ja mund të rrëzojë “çdo vend që duam”
Guilfoyle përmendi si arritje gjatë mandatit të saj marrëveshjet për zgjerimin e eksporteve amerikane të gazit natyror të lëngshëm drejt Evropës, avancimin e Korridorit Vertikal për të zvogëluar varësinë evropiane nga energjia ruse, si dhe forcimin e bashkëpunimit në mbrojtje dhe siguri me Greqinë, aleate e NATO-s. Ajo shtoi se ishin zgjeruar edhe mundësitë për bizneset dhe investimet amerikane në rajon.
Ambasadorja tha se ishte veçanërisht krenare për kontributin e ambasadës në forcimin e ndikimit energjetik amerikan dhe bashkëpunimit ekonomik, si dhe në ruajtjen e rolit udhëheqës të SHBA-së në Evropën Juglindore.
Duke iu referuar drejtpërdrejt akuzave ndaj saj, Guilfoyle i mohoi ato dhe u zotua se do ta mbrojë emrin, reputacionin dhe integritetin e saj.
“Jetën time profesionale ia kam kushtuar luftës për drejtësi, mbrojtjes së asaj që është e drejtë dhe vlerave që e bëjnë Amerikën të jashtëzakonshme. Nuk do të lejoj që akuzat e rreme të përcaktojnë dekadat e mia në shërbim publik”, deklaroi ajo.
Guilfoyle theksoi se mirënjohja dhe respekti i saj për Trumpin dhe Rubion mbeten të palëkundura, duke shtuar se do të vazhdojë ta mbështesë presidentin amerikan dhe misionin e tij për ta bërë Amerikën sërish të madhe.
“Burri misterioz” që shoqëron ambasadoren amerikane ndërsa ajo promovon marrëveshje nëpër Evropë
Ajo la të kuptohet se koha e saj si ambasadore mund të jetë drejt fundit, por nënvizoi se përkushtimi ndaj Trumpit, lëvizjes “Amerika e Para” dhe Shteteve të Bashkuara nuk do të përfundojë.
Në fund të deklaratës, Guilfoyle falënderoi popullin grek për mikpritjen dhe bashkëpunimin, duke e cilësuar shërbimin ndaj SHBA-së si nderin më të madh të jetës së saj.
Reagimi i saj vjen pas raportimeve se Shtëpia e Bardhë i ka kërkuar të largohet nga posti i ambasadores, pas pretendimeve se ajo i kishte kërkuar një donatori t’ia paguante një faturë prej 100 mijë dollarësh të kartelës së kreditit. Guilfoyle i ka cilësuar akuzat si të pavërteta dhe ka deklaruar se do ta mbrojë reputacionin e saj. /Telegrafi/






