​A duhej pritur vendimi i Apelit? Haga nis procedurën për kompensimin e viktimave

Nacionale

Dhomat e Specializuara në Hagë kanë nisur procedurën për kompensimin e viktimave në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Vendimi për nisjen e procedurave për reparacionet është marrë më 16 shtator nga kryetari i Trupit Gjykues, Charles L. Smith. Bëhet fjalë për një procedurë për përcaktimin e reparacioneve për viktimat. […]

Madhësia e shkronjave

Dhomat e Specializuara në Hagë kanë nisur procedurën për kompensimin e viktimave në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Vendimi për nisjen e procedurave për reparacionet është marrë më 16 shtator nga kryetari i Trupit Gjykues, Charles L. Smith. Bëhet fjalë për një procedurë për përcaktimin e reparacioneve për viktimat. Sipas vendimit, Mbrojtja ka afat deri më 22 shtator për të kundërshtuar nisjen e kësaj procedure.

Nisja e kësaj procedure, para se të merret vendimi në shkallën e dytë apo në Gjykatën e Apelit, ka hapur diskutimin nëse kompensimi i viktimave duhej të niste në këtë fazë apo pas përfundimit të procesit gjyqësor.

Avokati Ardian Bajraktari thotë se, si rregull, procedura për kompensimin e viktimave duhet të nisë pasi vendimi penal të bëhet i formës së prerë.

Sipas tij, për sa kohë që aktgjykimi mund të ndryshojë në shkallën e dytë, nisja e procedurës në këtë fazë është e parakohshme.

“Si rregull, procesi i kompensimit të viktimave fillon pas plotfuqishmërisë së vendimit. Mirëpo, kur jemi te Gjykata Speciale, anomalitë, veprimet në kundërshtim me ligjin kanë qenë ato që e kanë karakterizuar në vazhdimësi procesin, prandaj një gjë e tillë ka qenë në vazhdimësi diçka e rëndomtë për këtë gjykatë, edhe vlerësoj që mbi të gjitha një veprim, vendim i tillë është i parakohshëm për aq kohë sa nuk kemi akoma vendim të plotfuqishëm”, ka thënë Bajraktari.

Sipas tij, vendimi i Apelit mund të ndryshojë edhe bazën mbi të cilën po zhvillohet procedura e kompensimit të viktimave.

“Natyrisht, varësisht prej epilogut të vendimit të Apelit, pastaj rezultojnë edhe veprimet pasuese. Në rast se ka drejtësi, atëherë ky vendim duhet të rrëzohet nga gjykata e shkallës së dytë dhe për rrjedhojë natyrisht që pastaj edhe ky proces rrjedhimisht duhet të analizohet. Mirëpo megjithatë, duhet të pritet epilogu i vendimit të Apelit, i cili mbi bazën e ecurisë që e ka karakterizuar vendimmarrjen në proceset paraprake, vlerësoj që afërsisht para dy vitesh nuk besoj që do të ketë një epilog për sa i përket shkallës së dytë…Kjo mundet me u ndryshuar varësisht prej epilogut të vendimit të gjykatës së shkallës së dytë. Megjithatë, kjo, nisja e këtyre procedurave në këtë stad të procesit mund të rezultojë edhe si paragjykim i procesit”, ka deklaruar ai.

Ndryshe e interpreton këtë çështje ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, sipas të cilit procedura për kërkesën pasurore-juridike mund të zhvillohet krahas çështjes penale dhe nuk është e domosdoshme të pritet vendimi i Gjykatës së Apelit.

Sipas Hasanit, qëllimi i një procedure të tillë është që viktimat të mund ta realizojnë të drejtën për kompensim brenda procesit penal, pa qenë të detyruara të nisin një proces të veçantë civil.

“Çështja e kompensimit të dëmit të viktimave, ajo çështje është e rregulluar në të gjitha ligjet, edhe në ligjin tonë. Kodit të Procedurës Penale, ku në një proces penal vendoset për dimensionin i cili ka karakter civil, domethënë paditë civile. Dhe qëllimi i mundësimit të realizimit të kësaj të drejte të personave të cilat janë viktimë e veprimeve të paligjshme është që t’i mundësojë atyre që të realizojnë një të drejtë në procedurë penale, për t’i shmangur shpenzimet që do të krijohen pastaj me padi në procedurë civile. Mirëpo kërkesa pasurore-juridike vendoset në, njëkohësisht me çështjen penale. Domethënë, nuk pritet aktgjykimi të vendosë Gjykata e Apelit, por vendoset së bashku me çështjen kryesore”, ka thënë Hasani.

Megjithatë, ai lë të hapur mundësinë që Dhomat e Specializuara, për shkak të rregullave të tyre të brendshme dhe specifikave të këtij procesi, të kenë përcaktuar një procedurë të veçantë për reparacionet.

“Mirëpo, mund të ndodhë që me rregullat e tyre të brendshme kanë parë ndonjë procedurë të veçantë për veçimin e procedurës. Mirëpo, nga ajo që unë pashë, do të thotë se ajo do të vendoset edhe për kërkesën pasurore-juridike së bashku me çështjen kryesore. Pastaj, unë besoj që në aktgjykimin në të cilin do të shkruhet, aty do të vendoset edhe kërkesa pasurore-juridike. Domethënë, kërkesa pasurore-juridike vendoset kur shpallet aktgjykimi për çështjen kryesore, jo pasi të merret vendimi, bëhet i formës së prerë nga Gjykata e Apelit. Për faktin se edhe ndaj këtij dimensioni, edhe ndaj kërkesës pasurore-juridike, të akuzuarit ose të pandehurit kanë të drejtë që të ushtrojnë ankesë në Gjykatën e Apelit”, ka thënë ai.

Hasani thekson se baza për kompensim lidhet drejtpërdrejt me një aktgjykim dënues. Nëse një i akuzuar lirohet nga akuza ose aktakuza refuzohet, sipas tij, ndryshon edhe baza për kërkesën pasurore-juridike.

Procedura e reparacioneve lidhet me përcaktimin e të drejtave të viktimave për kompensim dhe me vlerësimin e dëmit që pretendohet se u është shkaktuar.

Në këtë fazë, palët mund të paraqesin qëndrimet dhe kundërshtimet e tyre lidhur me këtë çështje, ndërsa vendimmarrja përfundimtare do të varet nga ecuria e procedurës.

Aktgjykimi i 16 shtatorit ndaj katër ish krerëve të UCCK-së është vendim i shkallës së parë dhe procedurat e ankesës mund të ndikojnë në përfundimin përfundimtar të çështjes, pra i vendimit në Gjykatën e Apelit.

Më 16 shtator, Trupi Gjykues i shpalli të katër të akuzuarit fajtorë për krimet e luftës të ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes, ndërsa i dënoi me gjithsej 81 vjet burgim.

Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim duke llogaritur edhe kohën e qëndrimit në paraburgim. /KP/